
Një incident i pazakontë ndodhi mbrëmjen e 26 shtatorit, në premierën e “La Traviatës”, kur sopranoja Eva Golemi u rrëzua në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Ngjarja ndodhi në skenën finale të operës kur Eva Golemi në rolin e Violetës duhet të binte në krahët e Alfredos, rol që luhej nga tenori Mario Rojas, por ky i fundit dështoi në realizimin e skenës. Rojas ndodhej disa metër larg Golemit, duke e lënë sopranon të rrëzohet në tokë.
Menjëherë pas incidentit, stafi i Teatrit të Operës dhe Baletit njoftoi ambulancën për të siguruar ndihmë mjekësore dhe artistja u dërgua në spital për ekzaminime të detajuara.
E kontaktuar nga gazetarja e Top Channel, Sara Hila, Golemi u shpreh se është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa mjekët i kanë sugjeruar 10 ditë pushim për t’u rikuperuar plotësisht. “Kam 25 vite që luaj këtë rol jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, një incident i tillë nuk më kishte ndodhur kurrë më parë. Ngjarja mund të kishte qenë më e rëndë nëse do të dëmtoja kokën. Jam ende e tronditur nga ngjarje”, tha sopranoja që e cilësoi mungesë profesionalizmi veprimin e tenorit meksikan.
Në katër netët e shfaqjes, me tre kaste të ndryshme, në operën me produksion të mjeshtrit me famë botërore Hugo de Ana ishte planifikuar që Golemi të ishte në rolin e Violetës edhe në natën finale më 29 shtator, por pas incidentin dhe pritet që TKOB të njoftojë se kush do ta zëvendësojë në skenë.
Prej gati tre dekadash, Eva Golemi është soprano e parë e Operës dhe Baletit, ku ka interpretuar qindra role, por Violetta e “La Traviatta-s” ishte ndër rolet e preferuara të saj, të cilin e ka sjellë mbi 70 herë në skenë.
Top Channel