
Nga Endi Tufa/ 11 vite nga tetori i 2014-s kur u zhvillua ajo ndeshje e turpshme, Shqipëria do të rikthehet pikërisht këtu në Serbi për të luajtur një nga ndeshjet e saj më të rëndësishme për eliminatoret e botërorit 2026.
Këtë herë jo më në Beograd pasi Qeveria dhe Federata e Futbollit të Serbisë të trembur nga vetja e tyre e spostuan ndeshjen pikërisht këtu në Leskovc, po çfarë është ky qytet dhe ky stadium kur Shqipëria do të zbresë në fushë më 11 tetor!
Ndeshja që duhej të luhej në Beograd… nuk u lejua të ndodhte në Beograd. Zyrtarisht u tha “për arsye sigurie”. Jozyrtarisht, të gjithë e dinin: Frika. Frika se historia mund të përsëritej.
Sepse në kujtesën e futbollit ballkanik ekziston një datë që s’e fshin dot askush, 14 tetor 2014. Nata kur një ndeshje u kthye në manifest politik. Nata kur një dron rrëzoi sistemin, një flamur ndezi turmat, dhe një stadium u shndërrua në arenë të hapur. Precedenti ishte aty, në ajër, si paralajmërim. Askush nuk donte ta jetonte dy herë.
Dhe kështu, në vend që të përballeshin me të shkuarën, ata zgjodhën të zhvendosen. Futbolli mori rrugën drejt jugut. U largua nga metropoli i madh dhe u ndal në një qytet që rrallë përmendet në hartën botërore: Leskovc.
Një qytet i vogël. Një qytet i heshtur. Një qytet që rron me ritëm tjetër. Rrugë të ngushta, godina të rrënuara nga koha, dyqane të vjetra. Një vend ku nuk ka luks, nuk ka shfaqje. Por ka një thjeshtësi që të bën të kuptosh se jeta rrjedh edhe aty, larg kamerave, larg bulevardeve.
Dhe pikërisht në këtë skenë modeste… ngrihet papritur një stadium modern. Si një anije kozmike e ulur në mes të një qyteti të thjeshtë. Stadiumi i ri i ndërtuar në 2023, krenaria e re e federatës së tyre, trofeu i betonit që Serbia donte t’ia tregonte botës. Ironike: një qytet pa shkëlqim… me një fushë futbolli që shkëlqen.
“Unë isha aty. Eca nëpër qytet. Pashë kontrastin. Nga pazaret e varfra… në hyrjen e një impianti që të pret si arenë europiane. E filmova qytetin, e filmova stadiumin. Brenda tij, heshtje. Një heshtje që dukej sikur po e priste ndeshjen për t’u mbushur me britma”.
“Përshëndetje të gjithë ndjekësve të futbollit në Shqipëri dhe dua t’i uroj mirëseardhje Kombëtares së tyre e cila do të luajë ndeshjen me kombëtaren e Serbisë më 11 tetor në Stadiumin e qytetit në Leskovac.
Stadiumi ka 8166 vende dhe kur luan kombëtarja e Serbisë, gjithmonë mbushet plot deri te vendi i fundit. Sikurse shihni ky stadium ofron mundësi ideale për një atmosferë të vërtetë të futbollit, nuk ka piste atletike, tribunat janë shume afër dhe kjo i ofron kombëtares sonë mbështetje shumë të madhe dhe për këtë arsye Federata e Futbollit dhe Kombëtarja kanë vendosur që kjo ndeshje kaq e rëndësishme për të dyja skuadrat të luhet në këtë stadium, ku mbështetja është më e mirë, ku lojtarët ndihen më mirë dhe ambienti është fenomenal, këtë do ta shihni kur të vini këtu.
Për rezultatin do të vendosin lojtarët në fushë. Kudo që të ishte luajtur kjo ndeshje, Kombëtarja jonë do të merrte mbështetjen maksimale dhe Federata jonë dhe organet shtetërore dhe Republika e Serbisë do të bënin maksimumin e tyre që të ndiheni të mirëpritur. Kudo që të kishim luajtur ndeshjen, mbështetja dhe kushtet do të ishin të njëjta”, tha drejtori i stadiumit.
Shqiptarët do të ndihen të mirëpritur, një fjali deri diku revolucionare, në një tokë kur mjaftonte shumë pak për të ndezur zjarrin, sot na paraprin fjala mirëseardhje, si për të treguar se dora e qetësisë dhe normalitetit na është shtrirë.
Por pak km më në jug të vendit në Luginën e Preshevës, ku ndodhet dhe Medvegja dhe Bujanoc shqiptarët atje tregojnë se nuk është e thjeshtë të jesh shqiptarë aty.
Gjithsesi në stadium, në tribunën qendrorë, një shqiptar dhe një serb mund të jenë ulur vetëm dy rreshta larg dhe e dinë shumë mirë se në fund të fundit, të dy duan të njëjtën gjë, të festojnë suksesin, këtë herë në futboll.
Sepse ky sport, përtej flamujve, himneve dhe tensioneve, di edhe të bashkojë. Mjafton t’i japësh mundësinë. Pikërisht ky ishte paradoksi i Leskovcit, një ndeshje që u zhvendos nga frika, për të treguar në fund se sporti mund të sfidojë frikën.
Top Channel