“Emri i kandidatit për Tiranën, çështje ditësh”, Noka takon Tedi Blushin: Përjashtojmë nga bashkëpunimi vetëm Arlind Qorin

28/09/2025 12:31

Të mandatuarit e Partisë Demokratike patën një takim këtë të diel me sekretarin e Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në lidhje me zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.

Pas mbledhjes, Flamur Noka u ndal te kandidatura e opozitës për kryebashkiakun e kryeqytetit, duke thënë:

“Ju siguroj që është çështje ditësh. Ne jemi opozitë dhe forcë demokratike, ndaj ndjekim hapat dhe procedurat, konsultohemi dhe më pas vendosim. E gjitha kjo është çështje ditësh dhe shumë shpejt do të keni emrin e kandidatit të opozitës. Siç e shikoni, dje e shtunë dhe sot e diel, ne sërish vazhdojmë me takime intensive me të gjitha forcat parlamentare dhe më pas me një konsultë me të tjerët, për të arritur në fund me kandidatin final dhe qëllimin që i duhet Tiranës Partitë parlamentare që përjashtohen është vetëm e majta radikale e Arlind Qorrit”.

Ndërkohë, sekretari i PL-së, Tedi Blushi thotë: “Kandidatura e opozitës do jetë gjithëpërfshirëse dhe jo kandidaturë e emëruar sikundër ka ndodhur me kandidaten e Partisë Socialiste. Përballë kandidates së COVID ne po zgjedhim vaksinën e duhur, e cila do shërojë një herë e përgjithmonë kryeqytetin.

Vaksina jonë përballë COVID-it të Edi Ramës sigurisht do jetë kandidaturë që do e ktheje Bashkinë e Tiranës në shërbim të qytetarëve dhe do i japë fund paligjshmërisë , korrupsionit dhe i krimit në këtë institucion”.

Top Channel