
Një tragjedi e rëndë goditi shtetin jugor indian të Tamil Nadu, ku të paktën 29 persona humbën jetën dhe rreth 50 të tjerë u plagosën gjatë një tubimi politik të mbajtur nga aktori i njohur Vijay, i cili tashmë është përfshirë në politikë.
Sipas gazetës The Hindu, që citon Ministrin e Shëndetësisë së shtetit, Ma. Subramanian, ngjarja ndodhi në qytetin Karur, gjatë një aktiviteti që ishte pjesë e një turneu elektoral të partisë së re politike të Vijay, Tamilaga Vettri Kazhagam.
Turma të mëdha njerëzish ishin mbledhur në tubim, ndërsa aktori, i njohur gjerësisht vetëm me emrin Vijay, po zhvillon fushatë për zgjedhjet shtetërore që pritet të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm.
Menjëherë pas incidentit, 44 mjekë nga rrethet përreth, përfshirë Tiruchirappalli dhe Salem, u dërguan për të ofruar ndihmë mjekësore emergjente.
Reagimi nuk vonoi nga autoritetet më të larta. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, u shpreh në një postim në platformën X: “Incidenti i pafat gjatë një tubimi politik në Karur, Tamil Nadu, është thellësisht trishtues.”
Nga ana tjetër, edhe Kryeministri i Tamil Nadu, MK Stalin, reagoi në X duke thënë se lajmet nga Karuri janë shqetësuese, ndërsa shtoi se kishte urdhëruar mobilizimin e ndihmës mjekësore urgjente dhe dërgimin e përforcimeve nga qyteti fqinj Tiruchirappalli.
Deri tani, thirrjet e mediave drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë së shtetit dhe zyrës së Kryeministrit Stalin nuk kanë marrë përgjigje zyrtare.
Top Channel