
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në SHBA me shefit e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, dhe duket se gjatë asaj që u përshkrua si një bisedë e gjatë shumëplanëshe, ajo i ka treguar edhe një herë se vendi i saj mbetet gjithmonë në krah të Shteteve të Bashkuara.
“Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet një bosht i pathyeshëm. Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-në, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”, tha Osmani, sipas njoftimit të Presidencës.
Takimi mes saj dhe Trumpit u zhvillua në Nju Jork. Presidentja e falënderoi për, siç tha, “interesimin e veçantë që tregoi rreth rolit të pazëvendësueshëm të Amerikës në Kosovë dhe në rajonin tonë, si dhe për angazhimin e tij të palodhshëm për paqe”. Osmani po qëndron në Nju Jork ku po merr pjesë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Më 23 shtator, në pritjen e organizuar nga presidenti Trump, Osmani u takua edhe me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Në Shtetet e Bashkuara ndodhet sakaq edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla. Qëndrimi i zyrtarëve të Kosovës në Nju Jork vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara pësuan një goditje në fillim të këtij muaji, pasi Washingtoni njoftoi pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, që sipas tij kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.
Top Channel