“Për Shqiptarët”/ Emocione të forta dhe lot gëzimi për historitë e solidaritetin nga të gjithë

27/09/2025 16:05

Lot gëzimi mbushën studion e emisionit “Për Shqiptarët” në Top Channel, por edhe shtëpitë e çdokujt që e ndoqi Nikitën teksa realizoi ëndrrën e babit të saj që humbi jetën në aksident duke lënë vetëm tre fëmijë të vegjël.

Nikita ngjitet në skenë ashtu si babai i saj Kreshniku ëndërronte.

Dhimbje, emocione dhe lot gëzimi kapluan studion nga historia e dy prindërve të cilët duan të shpëtojnë djalin e dytë pasi të parin e humbën për shkak të një sëmundjeje tumorale dhe se fati i keq i ndoqi sërish.

Lotët e nënës me shpirtin vrarë e të mbushur me frikë për ditët që po iknin kthehen në shpresë.

Zemra e një nëne që vuan e njeh më mirë se askush dhimbjen për foshnjën e saj. Enuari, 6 vjeç, ka probleme në njërën këmbë dhe mezi pret të luajë si të gjithë fëmijët e tjerë, e nëna e tij dergjet në lot sa herë e shikon që rrëzohet, por nga ana tjetër dy prindër kërkojnë një shërim për foshnjën e tyre njëmuajshe.

Mes emocionesh të shumta, “Për Shqiptarët” mbyllet me një tjetër surprizë. Nikita dhe familja e saj tanimë kanë një shtëpi të re.

Top Channel