
Lajmi se Bashkimi Europian planifikon krijimin e një muri dronësh për t’u mbrojtur nga shkeljet ajrore ruse në krahun lindor të bllokut, u përhapur me shpejtësi e ua si përgjigje konkrete e Brukselit në një situatë me rrezik përshkallëzimi.
Kjo mburojë mbrojtëse e kufirit më të rrezikuar të unionit do të përdorë teknologji të përparuar për të zbuluar, ndjekur dhe kapur mjete ajrore pa pilot. Ky është thelbi i projektit që planifikon BE-ja, të ndërtojë një sistem mbrojtës nga dronët në krahun e saj lindor. Ministrat e Mbrojtjes së BE ranë dakord për këtë në një video-konferencë të premten siç njoftoi Komisioneri i Industrisë së Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius. “Muri i dronëve” është pjesë e një projekti më të gjerë për mbikëqyrjen e krahut lindor të BE-së, i cili përfshin gjithashtu sisteme mbrojtëse tokësore, siguri detare për Detin Baltik dhe Detin e Zi, si dhe inspektim të situatës me informacione satelitore.
“Për financimin e kësaj mburoje do të përdoren instrumentet e BE-së. Mburoja mbrojtëse për krahun lindor, me murin e dronëve si thelbin e saj, do të jetë në të mirë të të gjithë Europës”, shprehet Andrius Kubilius, komisioner i BE-se për mbrojtjen.
Kubilius, deklaroi se muri me dronë për mbrojtje nga shkeljet ajrore është “prioritet i menjëhershëm dhe element kyç i mbrojtjes së krahut lindor të bllokut”. Ky reagim i unionit vjen pas një serie shkeljesh me dronë të hapësirave ajrore në Danimarkë, Poloni dhe Rumani, si dhe pas incidentit të Estonisë, kur rusët hynë në hapësirën ajrore estoneze me avionë luftarakë që u fluturuan atje për disa minuta. Kubilius tha se është urgjente të ketë një sistem efektiv zbulimi, duke përfshirë radarë dhe sensorë akustikë, si dhe kapacitete për kapjen dhe shkatërrimin e dronëve, edhe pse e pranoi mundësinë e një pabarazie mes kostove të mbrojtjes dhe vlerës së dronëve ruse.
“Nëse përdorni raketa ajrore nga avioni juaj luftarak për të shkatërruar një dron, atëherë po përdorni një raketë që kushton 1 milion euro për të shkatërruar një dron që kushton 10 mijë”, u shpreh ai.
Top Channel