
Rusia i kritikoi planet e Bashkimit Europian për krijimin e atij që u përshkrua “si një mur dronësh”, e që synon forcimin e mbrojtjes në kufirin lindor të unionit.
Përgjigja e bllokut europian ndaj hyrjes së dronëve në kufijtë e saj vetëm se do të rrisë tensionet, ishte deklarata e Moskës. Ministria ruse e Mbrojtjes, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, RIA Novosti, insiston se masat do të çojnë në një ashpërsim “ të tensioneve politike dhe ushtarake në kontinentin europian.
Pas kësaj, reagoi edhe ministria ruse e Punëve të jashtme, e cila shtoi se këto plane përbëjnë në fakt “ambicie personale dhe lojëra politike të elitave drejtuese të BE-së”. Një ditë më parë, ministrat e mbrojtjes nga 10 vende të BE-së u pajtuan ta kthenin “murin e dronëve” në një prioritet të bllokut. Nisma u nxit nga fakti që disa shtete anëtare janë përballur javët e fundit me një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore, për të cilat fajësojnë Rusinë. BE-ja ka thënë po ashtu se duhet të mësojë nga Ukraina e cila përballet çdo ditë me dronë rusë dhe, për rrjedhojë, ka zhvilluar zgjidhje të lira për t’iu kundërvënë sulmeve ruse.
Rusia vetë mohon të ketë shkelur hapësirën ajrore të NATO-s dhe e cilësoi reagimin e BE-së si “histeri”, duke insistuar se pilotët rusë u përmbahen rregullave ndërkombëtare të aviacionit, e pretendon po kështu se nuk ka prova që dronët në fjalë kanë qenë rusë.
Top Channel