Kërcënimi i ri nga Rusia? Zelensky ngre alarmin: Putin mund të sulmojë një vend tjetër evropian, ne jemi gati të…

27/09/2025 18:33

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka parashikuar se Vladimir Putin mund të zgjerojë luftën e tij në Ukrainë duke sulmuar një vend tjetër evropian.

Ai akuzoi Rusinë për sulmet e fundit me dronë, të cilat, sipas tij, janë një përpjekje e qëllimshme për të testuar mbrojtjen ajrore të NATO-s.

Duke folur nga Kievi pas një takimi që pati me Donald Trump gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Zelensky u shpreh se Rusia po përgatitet për një konflikt më të madh.

Putin nuk do të presë të përfundojë luftën në Ukrainë. Ai do të hapë një front të ri. Askush nuk e di se ku, por ai e dëshiron këtë,” deklaroi ai.

Sipas presidentit ukrainas, Kremlini po teston qëllimisht aftësinë e Evropës për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore, duke iu referuar dronëve të vërejtur në Danimarkë, Poloni dhe Rumani, si dhe shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë luftarakë rusë. Të premten në mbrëmje u raportuan disa dronë mbi një bazë ushtarake daneze, ndërsa të shtunën u panë edhe mbi një bazë norvegjeze.

Zelensky u shpreh se vendet anëtare të BE-së po përballen me vështirësi në reagimin ndaj këtij kërcënimi të ri dhe të rrezikshëm. Më herët këtë muaj, Ukraina identifikoi 92 dronë që fluturonin drejt Polonisë. Shumica u goditën nga forcat ukrainase, por 19 dronë arritën të hyjnë në territorin polak, ku u rrëzuan vetëm katër prej tyre.

Nuk po krahasoj forcat tona. Ne jemi në luftë, ndërsa ata (Polonia) jo”, u shpreh tha Zelenskyy.

Ai gjithashtu bëri të ditur se përfaqësues nga disa vende të cilat nuk i identifikoi do të udhëtojnë në Ukrainë për të marrë trajnim praktik mbi mënyrën e zmbrapsjes së sulmeve ajrore ruse.

Ne jemi gati të ndajmë përvojën tonë,” shtoi ai.

Këto komente vijnë pas një bisede që Zelensky e cilësoi si shumë të këndshme me Donald Trump. Pas takimit, presidenti amerikan deklaroi se beson që Ukraina, me mbështetjen e NATO-s dhe Evropës, mund të rifitojë të gjithë territorin e humbur që nga viti 2022.

Top Channel