Kaos në Administratën Amerikane, punonjësit në ankth për mbylljen e mundshme të qeverisë dhe pushimin nga puna

27/09/2025 13:50

Punonjësit federalë në Shtetet e Bashkuara përballen me një klimë të thellë pasigurie, frike dhe ankthi për shkak të një mbylljeje të mundshme të qeverisë, e cila mund të hyjë në fuqi nëse Kongresi nuk miraton një paketë financimi deri të martën në mbrëmje.

Shtëpia e Bardhë e Presidentit Donald Trump ka kërcënuar se kjo mbyllje do të shoqërohet me shkurtime të mëdha dhe të menjëhershme nga puna, në një valë të re të masave drastike që kanë goditur shërbimin publik këtë vit.

Sipas CNN nga 11 agjenci federale, punonjësit janë të tmerruar, të çorientuar dhe nën stres të vazhdueshëm. Shumë ende nuk e dinë nëse do të jenë në listën e atyre që do të vazhdojnë punën gjatë mbylljes, apo do të pushohen përkohësisht ose përfundimisht.

Një person i brendshëm ka treguar se Zyra e Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë ka udhëzuar agjencitë që ta shfrytëzojnë këtë situatë për të bërë shkurtim të pozicioneve që nuk përputhen me prioritetet e Presidentit Trump.

“Jam absolutisht i tmerruar që do të kaloj të njëjtën gjë sërish. Ky trajtim është çnjerëzor”, u shpreh një punonjës që u pushua këtë vit dhe më pas u ripunësua përsëri.

Administrata Trump ka fajësuar demokratët për situatën, duke thënë se ata po bllokojnë një zgjatje të thjeshtë të financimit për shkak të kërkesave si kujdesi shëndetësor për emigrantët pa dokumente dhe financimi për NPR.

Ndërkohë, demokratët kërkojnë që çdo marrëveshje të përfshijë zgjatjen e subvencioneve të Obamacare dhe përfshirjen e disa programeve sociale një pikë bllokimi për republikanët.

Që nga ardhja e Partisë Republikane në pushtet, janë ndërmarrë shkarkime të paprecedenta në agjenci të ndryshme. Disa janë urdhëruar të anulohen nga gjykatat, por më pas janë rrëzuar nga gjykatat e apelit.

Në Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme (IRS), ku tashmë ka ndodhur një reduktim me 25% i stafit, punonjësit kanë frikë se mbyllja do të ndikojë në përpunimin e 1.3 milion deklaratave tatimore për qytetarët që kërkuan zgjatje.

“Po pyesim veten nëse do të kemi Krishtlindje këtë vit”, u shpreh një përfaqësues i sindikatës në Filadelfia.

Një punonjës i Administratës Federale të Aviacionit (FAA) në Michigan deklaroi se mbyllja e vitit 2018 e detyroi të marrë hua për të ushqyer familjen. Tani ai është duke reduktuar çdo shpenzim për të kursyer.

“Me një nga punët më stresuese në botë, kjo është një barrë e padurueshme”, u shpreh ai.

Në Departamentin e Çështjeve të Veteranëve (VA), ka pasur disa mesazhe zyrtare që sigurojnë stafin se do të vazhdojnë të paguhen dhe të ofrojnë kujdes. Por agjenci të tjera si NOAA, Departamenti i Arsimit dhe Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) nuk kanë dhënë udhëzime konkrete për situatën.

Me vetëm pak ditë nga afati i fundit, qindra mijëra punonjës federalë ndihen të pambrojtur, të dezinformuar dhe emocionalisht të rraskapitur.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje deri të martën në mbrëmje, Shtetet e Bashkuara mund të përballen me një tjetër mbyllje qeveritare të dëmshme me pasoja jo vetëm për punonjësit, por për miliona qytetarë që varen nga shërbimet publike.

Top Channel