“Fundjava magjike”, fëmijët përjetojnë me emocione shfaqjen në Teatrin Eksperimental

27/09/2025 13:18

“Fundjava Magjike” dhuroi emocione dhe shumë të qeshura për të vegjlit që ndoqën shfaqjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental.

Dy fëmijë, motër dhe vëlla, kanë humbur në ekranet që kanë filluar të ndriçojnë më shumë se zemrat e tyre. Por kur takojnë Njeriun Llamarinë, që po kërkon zemrën e humbur, gjithçka ndryshon.

Kam mbajtur shënime për të bërë këtë shfaqje. Doja ta mbaja mes mësimit dhe lojës. Mendoj se familja është baza, prandaj e kam lënë fokusin vetëm te fëmijët, jo te personazhet e tjerë“, shprehet regjisori Kleard Gërmenji.

Aktorët futen nën lëkurën e personazheve, që me të papriturat dhe dinamikën e krijuar përfshijnë publikun.

Aktorja Adriana Tolka thotë për rolin: “Kjo shfaqje vjen kaq natyrshëm dhe është shumë e kuptueshme për të gjithë fëmijët. Kjo reflektohet kur ata bien në qetësi për të dëgjuar tekstin, në reagimet e tyre në sintoni me situatën…”

‘Ballafaqimi me fëmijë të moshave të ndryshme është ajo që të frymëzon që të kërkosh akoma më shumë brenda vetes. ‘Është goxha sfiduese, ka të bëjë më shumë me energjinë, me përfshirjen e mëtejshme të publikut, interaksioni është shumë thelbësor për shfaqjet me fëmijë’, shprehet aktori Klodian Çelmeta.

Fabiana Proi, aktore shprehet: Ka qenë një punë shumë e bukur me rolin. Jo për të kritikuar prindërit, por për ta thënë si një fenomen që prindërit i lënë fëmijët në celular dhe fëmijët e sotëm duken më të të rritur se sa janë.

Rruga e duhur për të kthyer zemrën është dashuria! Vepra me tekst dhe regji të Kleard Gërmenjit sfidon realitetin dhe përcjell mesazhe të drejtpërdrejta te fëmijët.

Kur të jemi të mërzitur, nuk duhet të kënaqemi me sende, por me dashurinë nga brenda‘, u shpreh një prej fëmijëve që ndoqi shfaqjen.

Top Channel