Frika nga sulmet terroriste të Antifas, Trump vendos Gardën Kombëtare në Portland

27/09/2025 17:40

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi vendosjen e Gardës Kombëtare në Portland të Oregonit, duke i dhënë urdhër Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, me kërkesë të Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, për të përballuar atë që e cilësoi si terroristë vendas.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump përshkroi Portlandin si një qytet të shkatërruar nga lufta dhe theksoi se trupat do të kenë të drejtë të përdorin forcën maksimale për të mbrojtur çdo objekt të ICE-së nën sulm nga Antifa dhe terroristë të tjerë vendas.

Ky vendim shënon zgjerimin e diskutueshëm të dërgimit të forcave federale në qytete të ndryshme amerikane, në një kohë kur Trump ka intensifikuar betejën kundër asaj që e quan majta radikale, duke e lidhur atë me rritjen e dhunës politike në vend.

Në fillim të shtatorit, presidenti e përshkroi jetesën në Portland si të ngjashme me jetën në ferr dhe njoftoi se po shqyrtonte dërgimin e trupave federale edhe në qytete të tjera të mëdha si Çikago dhe Baltimorë për të përmirësuar sigurinë.

Gjatë verës, Trump kishte dërguar Gardën Kombëtare në Los Angeles dhe Distriktin e Kolumbias si pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e zbatimit të ligjit.

Ndërkohë, në Memfis të Tenesit, guvernatori republikan Bill Lee konfirmoi përgatitjet për mbërritjen e trupave të Gardës Kombëtare, të cilët do të jenë pjesë e një rritjeje të burimeve për të luftuar krimin në qytet.

Top Channel