Festivali i Lahutës, mbahet në Malësinë e Madhe edicioni i dytë mbarëkombëtar

27/09/2025 16:01

Tingujt e lahutës legjendare, me të cilët shqiptarët ndër shekuj kanë kënduar trimave të këtij kombi, bashkuan në Bajzë të Malësisë së Madhe lahutarët nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Edicioni i dytë i Takimit Mbarëkombëtar të Lahutarëve solli së bashku emrat më të njohur të këtij instrumenti të lashtë shqiptar, me qëllim të përbashkët promovimin dhe ruajtjen e kësaj tradite.

Sipas artistëve, pas regjistrimit të lahutës nga UNESCO nga Serbia, ka pasur një rizgjim të brendshëm kombëtar për ta përhapur sa më shumë këtë instrument.

Mjeshtri i Madh, Pretash Nilaj, shprehet se ky takim, që ka si qëllim të kthehet në traditë, tashmë po pasurohet edhe me të rinj.

Në këtë edicion, lahutari i ri Marsel Meta nga Vora, për interpretimin e tij me këngën e dedikuar atdhetarit Zef Miliqi nga treva shqiptare e Tuzit, u vlerësua nga juria me çmimin e parë.

 

Top Channel