
38-vjeçari Fabio Ballabani alias Fabio Zyberaj, është ekstraduar nga Gjermania, pasi në vitin 2019 dhunoi dhe kërcënoi me armë zjarri, bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani.
Kjo gjyqtare ka qenë së ngarkuar për procesin kundër grupit kriminal ku bënte pjesë i ekstraduari, i cili njihet si një ndër ushtarët e bandës së Emiljano Shullazit.
Shullazi, i cili dha urdhrin nga qelia, kërkoi që të dhunohej bashkëshorti i gjykatëses, Kristaq Prifti.
Gjyqtarja Saida Dollani nuk pranoi të largohej nga trupi gjykues i çështjes “Shullazi” edhe pasi i dhunuan e kërcënuan me arme bashkëshortin.
“Isha në lokalin e lagjes bashkë me një mikun tim. Një moment dola të pija një cigare të dera e jashtme. Aty pranë kaloi bashkëshortja ime me një shoqen e saj dhe vajzën. Pak minuta më pas, në të djathtën time erdhi një djalë i rri, rreth 20-22 vjeç, i cili ishte veshur me bluzë ngjyrë si në të zezë, pantallona të errëta dhe atlete të bardha.
Ai erdhi direkt me pistoletë në dorë dhe vuri këmbën e majtë pas këmbës sime të djathtë. Më rrëzoi në tokë dhe më drejtoi pistoletën në gojë. Mu drejtua me fjalët ‘ti me atë tët shoqe mos harro se ke dy fëmijët në Francë’.
Në këtë moment ndërhyri shoku im, i cili e kapi nga pas personin. Ai u largua nga pjesa e djathtë e rrugës, ku e mori një automjet i bardhë, që drejtohej nga një person me mjekër”, ka dëshmuar asokohe bashkëshorti i gjyqtares Saida Dollani.
Në vitin 2024, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Top Channel