Bizneset rrisin shitjet, zgjerojnë investimet/ Në 7 muaj morën më pak kredi për likuiditet, mbizotëron ndërtimi e tregtia

27/09/2025 19:41

Tashmë kreditë nuk shihen vetëm si mjet për të kaluar vështirësitë, por si mundësi për rritje. Gjithnjë e më shumë biznese po financojnë me hua projektet e tyre të zgjerimit e modernizimit.

1.5 miliardë euro kanë dhënë bankat në drejtim të bizneseve në 7 muajtë e parë të vitit nga të cilat vetëm për likuiditet janë marrë 300 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër për investime si blerje zyrash të reja apo pajisjesh.

Kjo rritje është vënë re në të gjitha kategoritë e bizneseve sipas madhësisë, dhe kryesisht tek bizneset e vogla dhe të mesme, dhe ka qenë e përqendruar në projektet e investimit, ndërsa kërkesa për kredi për likuiditet ishte më e dobët në krahasim me periudhën e mëparshme”, thotë Banka e Shqipërisë.

Një situatë e tillë sipas Bankës së Shqipërisë vjen si pasojë e performancës pozitive të bizneseve në shitjet e tyre.

Vlera më e lartë e indeksit të shitjeve është regjistruar në ndërmarrjet e mëdha dhe ato të sektorit të ndërtimit dhe të tregtisë. Rreth 92% e ndërmarrjeve të vrojtuara kanë deklaruar se kanë operuar me fitim gjatë periudhës. Për gjysmën e dytë të vitit 2025, të tre grupet e ndërmarrjeve (të vogla, të mesme dhe të mëdha) presin rritje të mëtejshme të shitjeve dhe të rezultatit financiar”, shprehet BSH.

Edhe në afatgjatë Banka e Shqipërisë shfaq sinjale pozitive për mbështetjen e bizneseve me kredi teksa edhe standardet e kreditimit për bizneset e vogla dhe të mesme janë zbutur por vet këto subjekte shprehen më të kufizuara për 6 mujorin e dytë të vitit në raportin e vrojtimit të Bankës Qendrore.

KREDIA PËR BIZNESE (7 mujori)

(Burimi: Banka e Shqipërisë)

 

Totali             1.5 mld euro

Likuiditet         300 mln euro

Top Channel