“Balkan Jazz Showcase”/ Festivali që mblodhi bashkë në Tiranë grupe nga Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut e Turqia

27/09/2025 15:58

Në kryeqytet po mbahet edicioni i pestë i “Ballkan Jazz Showcase”, një festival ku Ballkani takon Mesdheun, me grupe nga Shqipëria, Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Turqia.

“Ne jemi munduar të sjellim atë që është më tipike e Ballkanit. Natyrisht, në fokusin e këtij edicioni janë grupet shqiptare të rinj. Do të jetë grupi ‘Just Trio’ dhe ‘Andi Kongo & UART Combo’, që është një orkestër e të rinjve të Universitetit të Arteve”, u shpreh Besim Petrela-organizator i “Ballkan Jazz Showcase”.

Mbrëmjen e kaluar, u ngjitën në skenë Argalios, një trio që përzien rrënjët tradicionale greke me elementë modernë…

Dhe ansambli italo-shqiptar i jazz-it, me Gent Rushin në piano, një grup që bashkon traditën mesdhetare me shijen bashkëkohore të jazz-it. Më shumë se një festival, “Ballkan Jazz Showcase” është një panair, që ka për qëllim bashkimin e kulturave dhe shkëmbimin e grupeve artistike.

“Ka drejtorë të festivaleve të ndryshme, përfshirë drejtorin e festivalit të Stambollit, Shkupit, Prevezës, të cilët shkëmbejnë grupet”, tha Besim Petrela-organizator i “Ballkan Jazz Showcase”.

Sipas organizatorëve, edicion pas edicioni, është vënë re një interes gjithnjë e më i shtuar për jazz-in, zhanrin që lindi në fillim të shekullit XX në SHBA dhe vazhdon të evoluojë edhe sot.

“Jemi në ekonomi tregu. Katedra e Jazz-it është rritur sepse e kërkon tregu. Ka shumë prurje, shumë të rinj që vijnë nga shkollat e mesme, nga Liceu Artistik për muzikën jazz”, deklaroi Besim Petrela, organizator i “Ballkan Jazz Showcase”.

Muzikë, art dhe Ethno Jazz, ky festival do të vazhdojë deri të dielën në mbrëmje në ambientet e Universitetit të Arteve.

Top Channel