Analiza e BBC/ Zgjedhjet të rëndësishme në Moldavi, hija e Rusisë po bëhet gjithnjë e më e madhe

27/09/2025 14:02

Qindra qytetarë u mblodhën në zemër të kryeqytetit moldav të premten në mbrëmje, duke valëvitur flamuj të Bashkimit Evropian dhe duke brohoritur kundër asaj që e quajnë përpjekje të qarta të Rusisë për të manipuluar zgjedhjet parlamentare të së dielës.

“Arma e tyre është paraja, arma jonë është vota”!, ishte britma më e fuqishme që dëgjohej në rrugët e Kishinaut, ndërsa përkrahësit e Partisë në pushtet, Partia për Veprim dhe Solidaritet (PAS), bënë thirrje për mbrojtjen e demokracisë dhe orientimit evropian të vendit.

Gjatë javës, autoritetet moldave kanë zbuluar prova të forta për një ndërhyrje zgjedhore në një shkallë të paparë, të lidhur drejtpërdrejt me Rusinë.

Prokurorët dhe policia kanë zbuluar një rrjet të sofistikuar blerjesh votash, fushata dezinformimi të financuara me kriptomonedhë dhe një komplot të frikshëm për të nxitur trazira të dhunshme.

Sipas autoriteteve, më shumë se 100 burra janë ndaluar pasi kishin ndjekur trajnime në Serbi, përfshirë përdorimin e armëve dhe taktika për thyerje të kordoneve policore. Besohet se pas këtij komploti qëndron inteligjenca ushtarake ruse, GRU.

Në këtë klimë tensioni, kryeministri moldav, Dorin Recean i ka quajtur zgjedhjet e së dielës beteja përfundimtare për të ardhmen e Moldavisë.

Ai shprehet se Rusia po shpenzon më shumë se 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit për të destabilizuar qeverinë dhe për të rikthyer influencën e saj. Hetimet e fundit të BBC-së zbulojnë një rrjet propagandistik që shpërndan lajme të rreme anti-PAS, i lidhur me oligarkun në arrati Ilan Shor, i cili aktualisht ndodhet në Moskë.

Nga ana tjetër, opozita e drejtuar nga ish-presidenti Igor Dodon e mohon ndërhyrjen ruse dhe pretendon se qeveria po përgatitet të anulojë rezultatin e zgjedhjeve në rast humbjeje.

Dodon, një figurë e njohur për afërsinë e tij me Kremlinin, ka deklaruar hapur se do të rikthejë blerjen e gazit nga Rusia dhe do të kundërshtojë çdo sanksion ndaj saj, pavarësisht udhëzimeve nga Brukseli.

Në zyrën e tij qëndrojnë të ekspozuara tri fotografi me Vladimir Putinin, përkrah fotove me liderë të tjerë ndërkombëtarë. Ai premton protesta në rast se PAS shpallet fituese, duke pretenduar se rezultati do të jetë i manipuluar.

Ndërkohë, në fshatrat moldave dhe në periferitë e qytetit, ku varfëria dhe mungesa e infrastrukturës janë ende të dukshme, qytetarët shprehin pasiguri për të ardhmen. Çmimet e larta të energjisë dhe rritja e kostos së jetesës që nga fillimi i luftës në Ukrainë kanë krijuar zhgënjim dhe skepticizëm.

Megjithatë, për shumë vetë si Tamara, një grua në të 60-at, orientimi drejt Bashkimit Evropian është rruga e vetme. “Ne zgjodhëm Evropën. Nuk dua të kthehem mbrapa. E kam provuar atë jetë”, thotë ajo.

Partia PAS po përpiqet të mobilizojë elektoratin duke përdorur një fushatë të fuqishme vizuale. Fletëpalosjet e saj janë të mbushura me premtime për anëtarësim në BE brenda katër viteve dhe rritje të investimeve, por gjithashtu paralajmërojnë për rrezikun e rikthimit të vendit nën ndikimin e Kremlinit.

Krahas PAS-it, në garë janë edhe Blloku Patriotik, i përbërë nga socialistë e komunistë, dhe koalicioni Alternativa, që ndonëse pro-evropian në dukje, përfshin figura të kontestuara, si kryebashkiakun e Kishinaut, të cilit i është ndaluar hyrja në zonën Shengen për arsye sigurie.

Zgjedhjet e së dielës shihen si një pikë kritike jo vetëm për Moldavinë, por edhe për qëndrueshmërinë e projektit evropian në kufirin me një Rusi gjithnjë e më agresive. Me një diasporë të madhe që pritet të ndikojë ndjeshëm në rezultatin përfundimtar, vendi ndodhet në një udhëkryq historik, të ecë drejt integrimit në BE apo të rishkruajë kapitullin e saj me kthimin e ndikimit rus.

Rezultati i zgjedhjeve pritet të mos përcaktojë vetëm shumicën në parlament, por edhe fatin e orientimit strategjik të Moldavisë në vitet që vijnë.

Top Channel