Akuzat për shkelje të hapësirës ajrore, reagon Rusia: S’kemi asgjë për të fshehur. Nuk synojmë vendet e Evropës

27/09/2025 19:16

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka mohuar kategorikisht akuzat për shkelje të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s gjatë javëve të fundit.

Gjatë një deklarate për mediat, Lavrov tha se Rusia “nuk ka asgjë për të fshehur”, duke shtuar se “nuk ka pasur asnjëherë qëllim për të sulmuar civilë apo infrastrukturë në territorin e vendeve evropiane.”

Incidentet ndodhin, por ne kurrë nuk qëllojmë me armë të synuara kundër tyre,” tha Lavrov.

Ministri rus u ndal edhe te akuzat konkrete nga Polonia, e cila pretendon se më 9 shtator dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të saj. Lavrov u shpreh se Moska ka kërkuar një takim të menjëhershëm për të diskutuar çështjen, por “askush nuk dëshiron të diskutojë faktet.”

Ne nuk synojmë me UAV-të apo me raketat tona vendet e Evropës, pavarësisht nëse janë anëtare të BE-së apo të NATO-s,” shtoi ai.

Deklarata e Lavrov vjen në një kohë tensionesh të shtuara mes Moskës dhe Perëndimit, ku incidentet ushtarake dhe akuzat për provokime janë bërë gjithnjë e më të shpeshta.

Top Channel