Zjarri shkrumbon banesën/ Pesë anëtarët e një familje në Maliq të pastrehë, kryefamiljari: Më iku edhe gruaja

26/09/2025 12:39

Prej dy ditësh familja Zito në fshatin Strelcë të Maliqit ka mbetur në qiell të hapur pasi një zjarr shkrumboi banesën ku jetonin 5 anëtarët e saj. 

Sipas policisë dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike ndërsa për kryefamiljarin barra që i mbeti mbi supe është e madhe.

Pas largimit të bashkëshortes ai së bashku me nënën e moshuar kujdeset për fëmijët e mitur, por tani ka humbur të gjitha rezervat ushqimore, strehën dhe mjetet e punës që i shërbenin për të siguruat jetesën.

Duke treguar gjendjen dëshpëruese në të cilën ka mbetur familja e tij ai ngre dyshime se zjarri mund të mos ketë qenë aksidental ndërsa apelon për ndihmë.

Nga ana e saj Bashkia Maliq, ka bërë me dije se do merren masat e nevojshme për ti ardhur në ndihmë kësaj familje.

Përkohësisht është menduar që familja Zito të strehohet në ambulancën e fshatit derisa bashkia të rindërtojë banesën, ndërsa nuk do mungojnë as paketat ushqimore.

 

Top Channel