Protesta dhe festa në botë pas sulmeve ndaj Iranit, 23 të vrarë në Pakistan, përplasje pranë konsullatës amerikane
Pas plot 19 muajsh pa një takim ballë për ballë, Princi Harry dhe Mbreti Charles u takuan privatisht këtë muaj në Clarence House, në atë që u përshkrua si një “takim i ngrohtë, por zyrtar”.
Pavarësisht përqafimeve dhe shkëmbimit të dhuratave, burime pranë Pallatit Mbretëror kanë zbuluar për “The Sun” se nuk ka asnjë plan konkret për rikthimin e Harry-t në detyra mbretërore, as edhe në një rol “gjysmë brenda, gjysmë jashtë” siç ishte përfolur.
Sipas burimeve të gazetës britanike, takimi zgjati 53 minuta, gjatë të cilave babë e bir shkëmbyen përqafime, puthje në faqe dhe dhurata simbolike:
Princi Harry i dhuroi babait një foto të familjes së tij me Meghan, Archie dhe Lilibet.
Mbreti Charles, nga ana tjetër, i dhuroi të birit një dhuratë për ditëlindjen, vetëm gjashtë ditë përpara se Harry të mbushte 41 vjeç.
Por pavarësisht atmosferës miqësore, Harry mbeti i habitur nga formaliteti i takimit, duke e përshkruar vetë si “më shumë si një vizitë zyrtare, sesa një moment familjar”.
Spekulimet që ky takim mund të çonte në rikthimin e Harry-t në detyra mbretërore u hodhën poshtë menjëherë nga të dyja palët. Burime nga Pallati thanë se nuk ekziston asnjë plan për ta parë Harry-n në publik përkrah Mbretit, apo për të ndjekur ndonjë rol gjysmë zyrtar në monarki.
Për më tepër, burime të afërta me Harry-n theksojnë se ai nuk kërkon më të rikthehet në rolin mbretëror, por dëshiron vetëm pajtim me familjen. Ai e konsideron Monteciton në Kaliforni si shtëpinë e tij, ku jeton me Meghan dhe fëmijët.
Zëdhënësi i Harry-t: “Vizita kishte për qëllim mbështetjen e kauzave të tij humanitare dhe takimet me familjen e miqtë. Nuk ka pasur asnjë lëvizje për të ndarë Mbretin nga Princi William.”
Burim nga Princi William: “Raportimet për ndasi mes Mbretit dhe Princit të Uellsit janë të pavërteta. Janë marrëdhënie të pandryshuara.”
Përkundër mungesës së planeve për të ardhmen, Mbretit Charles i ka lënë derën hapur për takime të tjera private, nëse Harry viziton sërish Mbretërinë e Bashkuar. Kjo vizitë, megjithëse e shkurtër dhe e rezervuar, tregon se komunikimi mes babait dhe birit nuk është ndërprerë – por gjithashtu dëshmon se ndarja mes “Sussex-ëve” dhe pjesës tjetër të familjes mbretërore vazhdon të jetë e thellë.
Ndërkohë që Harry nuk ka folur me vëllanë e tij William që nga varrimi i Mbretëreshës Elizabeth II, ai vazhdon të shprehë dëshirën për pajtim – por pa pranuar rikthim në jetën zyrtare të monarkisë.
Top Channel