
Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar aktakuzën e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, duke deklaruar se pret që edhe figura të tjera nga kampi i kundërshtarëve politikë të përballen me drejtësinë.
“Nuk është se kam një listë, por mendoj se do të ketë të tjerë,” tha Trump për gazetarin e CNN, Kevin Liptak, të premten, ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë për të marrë pjesë në Ryder Cup në New York.
Trump e përshkroi Comey-n dhe të tjerë si “radikalë të majtë të korruptuar” që, sipas tij, e kanë politizuar sistemin e drejtësisë si askush më parë në historinë e SHBA.
“Ajo që kanë bërë është e tmerrshme. Unë shpresoj që të ketë edhe të tjerë [të akuzuar], sepse nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë në një vend si ky,” shtoi ai.
Departamenti i Drejtësisë e akuzoi zyrtarisht James Comey-n të enjten, vetëm pak ditë pasi Trump kishte kërkuar publikisht që ai të ndiqej penalisht. Kjo lëvizje u shoqërua me largimin e një prokurori që kishte kundërshtuar aktakuzën – një hap që u interpretua gjerësisht si një përpjekje e paprecedent për të ndëshkuar kundërshtarët politikë të Presidentit.
Comey përballet me dy akuza për deklarata të rreme përpara Kongresit. Në dëshminë e tij të vitit 2020 përpara Senatit, ai kishte mohuar se kishte autorizuar rrjedhje informacioni në media gjatë kohës që drejtonte FBI-në. Sipas aktakuzës, Comey kishte autorizuar një kontakt të shërbente si burim anonim për raportime mediatike gjatë hetimeve për fushatën e vitit 2016.
Duke folur për rastin, Trump u shpreh se provat ndaj Comey-t janë të qarta: “Është një rast i thjeshtë. Ai gënjeu. Ai e dinte rëndësinë e pyetjes që iu bë [në Senat] dhe mendoi se do t’ia hidhte pa u kapur. Por u kap,” tha Trump.
Presidenti këmbënguli se ky proces nuk është hakmarrje, por “drejtësi e domosdoshme”.
“Nuk është për hakmarrje. Është për drejtësi. Nuk mund të lejojmë që këta njerëz radikalë të vazhdojnë të bëjnë çfarë të duan,” përfundoi ai.
Top Channel