“Nuk duam të lirojmë kabinat”/ Protesta e banorëve në Durrës, të strehuar që nga viti 1991

26/09/2025 15:23

Përfaqësues të familjeve që prej dekadash jetojnë në ish-kabinat e plazhit te “Rrota e Kuqe” kanë protestuar këtë të premte para Bashkisë së Durrësit, duke kundërshtuar vendimin për lirimin e banesave dhe duke kërkuar një zgjidhje urgjente për strehimin e tyre.

“Kemi një hall shumë të madh. Jemi 32 familje që jetojmë në vilat nr. 36 dhe 38  prej 35 vitesh, brenda të gjitha rregullave. Kemi tetë vjet me gjyqe dhe tani përmbarimi kërkon të na nxjerrë jashtë. Jemi në rrugë të madhe.” 

“Kemi qenë aty që nga viti ‘91. Përmbarimi na ka dhënë 10 ditë afat për të dalë. Jemi me pleq, me invalidë. Nga ajo shtëpi nuk dalim – të vdekur po, gjallë jo. Shteti të na strehojë.”

“Rritëm fëmijët aty, i martuam aty. Jemi me status të pastrehu. Kërkojmë të strehohemi. Ai që është pronar, le ta marrë, por ne nga shtëpia nuk dalim.”

Sipas Bashkisë së Durrësit, familjet mund të përfitojnë nga programet e strehimit social, por duhet të aplikojnë përmes portalit e-Albania dhe të kalojnë në fazën e verifikimit.

“Kemi bërë një takim me kryetaren dhe na ka thanë më lajmëroni e të gjejmë një rrugëzgjidhje se s’mund të nxjerrim 32 familje jashtë.”

Në vitin 1991, rreth 500 familje u strehuan në ish-kabinat e plazhit me vendim të Komitetit Ekzekutiv të kohës. Më pas, trualli ku ndodhen ato hyri në procesin e kthim-kompensimit të pronave.

Disa familje u sistemuan, të tjera, siç janë dhe këto familje, vijuan betejat gjyqësore. Në vitin 2013, gjykata i dha përfundimisht të drejtën e pronësisë familjes Tirana, ndërsa së fundmi është vendosur lirimi i objekteve një çështje që rikthen pasigurinë për këta banorë në bregdetin e Durrësit.

Top Channel