
Mbyllja e korridorit të ndihmës nga Izraeli më 12 shtator ka përkeqësuar ndjeshëm kushtet në Gazën Veriore, duke mbyllur kuzhinat komunitare dhe klinikat shëndetësore, si dhe duke reduktuar ndihmën ushqimore.
Kalimi kufitar Zikim, që përpara ofensivës tokësore izraelite në veri të qytetit të Gazës ishte rruga kryesore për ndihmat, është mbyllur dhe që atëherë nuk janë sjellë më furnizime përmes tij. Programi Botëror i Ushqimit (WFP) konfirmoi për Reuters se Zikimi përfaqësonte më parë gjysmën e dërgesave ushqimore drejt Gazës.
Sipas të dhënave të OKB-së dhe Amjad Al-Shawa, kreut të Rrjetit të OJQ-ve Palestineze, numri i vakteve ditore të shpërndara në Gazën Veriore ka rënë nga 155 mijë më 30 gusht në vetëm 59 mijë më 22 shtator, pas mbylljes së disa kuzhinave që ofronin ushqim falas.
Banorët raportojnë një përkeqësim të vazhdueshëm të situatës, ku mijëra persona janë zhvendosur si pasojë e ofensivës së fundit, ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur në shtëpitë e tyre, duke refuzuar të evakuohen për shkak të pasigurisë dhe mungesës së ushqimit.
“Situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë,” një nënë e pesë fëmijëve. “Çmimet janë rritur dhe ushqimet janë gjithnjë e më të pakta. Shumë shitës janë zhvendosur në jug”, shtoi ajo.
Ndërkohë, Bashkia e Qytetit të Gazës paralajmëron për një krizë të rëndë të ujit, pasi furnizimet mbulojnë më pak se 25% të nevojave ditore. Mungesa e karburantit dhe pasiguria kanë kufizuar ndjeshëm shpërndarjen e ujit të pijshëm.
Autoritetet izraelite thonë se nuk ka asnjë kufizim sasior për ndihmën që hyn në Gaza dhe akuzojnë Hamasin për vjedhje të ndihmave, akuza që grupi militant palestinez i ka mohuar.
Sipas “COGAT”, agjencia izraelite për koordinimin e ndihmave në territoret palestineze, rreth 300 kamionë me ndihma humanitare kanë hyrë çdo ditë në Gaza në javët e fundit. Megjithatë, ajo theksoi se hapja e kalimit Zikim varet nga “konsiderata operative”.
Pavarësisht kësaj, Programi Botëror i Ushqimit njoftoi se përballet me vështirësi logjistike në transportimin e ushqimit nga jugu në veri, për shkak të mbingarkesës së rrugës së vetme në dispozicion.
Ndërkohë, OCHA, agjencia e OKB-së për koordinimin e ndihmave emergjente, tha se 40% e kërkesave për lëvizje drejt Gazës Veriore janë refuzuar nga Izraeli pas mbylljes së kalimit Zikim.
Kushtet e rënda nuk kufizohen vetëm te ushqimi pasi katër qendra shëndetësore në qytetin e Gazës janë mbyllur gjatë këtij muaji, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërsa disa qendra për trajtimin e kequshqyerjes nuk funksionojnë më.
Top Channel