Mashtrime romantike dhe seksuale, vihen në pranga 260 persona nga operacionet kibernetike në….

26/09/2025 14:51

Një operacion i fshehtë ndërkombëtar ka çuar në arrestimin e rreth 260 mashtruesve kibernetikë të dyshuar në 14 vende afrikane, si pjesë e një aksioni të koordinuar nga Interpol dhe të financuar nga Mbretëria e Bashkuar.

Operacioni, i zhvilluar gjatë muajve korrik dhe gusht, kishte në shënjestër rrjete kriminale që mashtronin njerëzit përmes mediave sociale dhe platformave të takimeve online, duke përdorur skema të tilla si mashtrimet romantike dhe seksuale, ku viktimat shantazhohen me imazhe apo video intime.

“Nuk duhet shumë kohë për të krijuar një lidhje me dikë… dhe shumë shpejt ky besim shkatërrohet,” tha Neal Jetton, drejtori i krimit kibernetik në Interpol, për BBC.

Më shumë se 1,400 viktima janë identifikuar në vende si Gana, Kenia, Angola, Bregu i Fildishtë dhe Senegal, me dëme financiare të vlerësuara në rreth 2.8 milionë dollarë.

Gjatë hetimeve, u identifikuan adresa IP, profile të rreme në rrjete sociale, infrastrukturë dixhitale dhe pajisje që përdoreshin për të kryer krimet.

Gjithashtu janë  sekuestruar qindra pajisje, përfshirë USB, karta SIM dhe dokumente identifikimi të falsifikuara.

Në Ganë, ku u arrestuan 68 të dyshuar, policia sekuestroi 835 pajisje, identifikoi 108 viktima, mashtruesit përdornin skema të ndryshme, përfshirë pagesa dhe shantazhonin viktimat me video intime të regjistruara fshehurazi.

Në Senegal, 22 persona u arrestuan për imitimin e personazheve të njohur në rrjete sociale, ku arritën të mashtronin 120 viktima me një total prej 34,000 dollarësh. Në Bregun e Fildishtë, 24 të dyshuar u kapën dhe 809 viktima u identifikuan.

Ndërkohë, në Angolë, u arrestuan 8 persona që kishin krijuar identitete të rreme për të mashtruar viktima ndërkombëtare dhe vendase përmes mediave sociale.

Top Channel