“La Traviata” rikthehet në TKOB/ Sezoni i ri artistik nis me kryeveprën e Giuseppe Verdit

26/09/2025 12:59

La Traviata, një nga operat më të dashura të Giuseppe Verdit vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, me një produksion të jashtëzakonshëm nga mjeshtri me famë botërore Hugo de Ana dhe mjeshtërinë muzikore të Francesco Ommassini.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri, kam punuar shumë me orkestrën, korin, ansamblin e solistëve në këtë teatër, mezi pres t’i paraqesim publikut shqiptar një produkt të kuruar dhe të bërë me shume pasion”, tha Francesco Ommassini, dirigjent.

Një histori dashurie, e bazuar në një personazh real që sfidon kohën… Violeta Valéry.

“Është një rol shumë i veçantë për mua, Violetën e kam luajtur mbi 70 herë. Jam e kënaqur të jem pjesë e këtij produksioni të mrekullueshëm”, deklaroi Eva Golemi, soprano.

Me një skenë madhështore e kostumografi që na çon në Parisin e fundshekullit të XX-të, tre trupa artistike do të dhurojnë katër netë fantastike nën tinguj verdian në TKOB.

Premiera e produksionit të ri të kësaj opere është pjesë e sezonit të ri artistik, që do të pasojë me koncerte dhe bashkëpunime edhe me teatrot e qyteteve të tjera në vend.

Aulon Naçi, drejtori i TKOB-së: Okestra e TKOB-së do të prezantohet në Festivalin Respighi në Bolonja në datën 13 tetor. Është një festival i orkestrave që do të mbahet në Teatrin e Bolonjës. Do të vazhdojmë me International Dance Festival. Kemi një seri koncertesh simfonikë, ku do të veçoja disa prej tyre, duke nisur me violinistin Giuseppe Gibboni. Do të mirëpresim koncertin e Beethovenit. Do të kemi në fillim të dhjetorit operën Trovatore, duke pasur në fund të dhjetorin me Arrëthyesin.

Prioritet i këtij sezoni për drejtuesit është ngjitja në TKOB e artistëve shqiptarë që kanë shkëlqyer në skenat botërore.

Edi Blloshmi, drejtori artistik i Trupës së Baletit në TKOB: Këto talente shqiptare që nuk kanë ardhur në Shqipëri më parë, po mundohemi t’i sjellim afër teatrit tonë, sepse duhen vlerësuar dhe duhen ngritur sa më lart…

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta