Kosova “e do Amerikën”, sondazhi: 77% e qytetarëve e shohin si aleatin kryesor

26/09/2025 13:11

Një sondazh i Institutit Ndërkombëtar Republikan, IRI tregoi se qytetarët e Kosovës konsiderojnë pa ngurrim Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin kryesor të vendit.

77% e të intervistuarve u përgjigjën në favor të SHBA-së në anketim, ku 94 për qind e të intervistuarve janë shqiptarë ndërsa 6 për qind serbë. Sondazhi përfshin përgjigjet e qytetarëve se cilin shtet e konsiderojnë si aleatin më të rëndësishëm të vendit, ndërsa po ashtu janë pyetur se cilin shtet e konsiderojnë si kërcënimin më të madh.

Pas SHBA-së, shtetasit e Kosovës rendisin si aleat kyç Shqipërinë me 6%, Gjermaninë po me 6% e Turqinë me 3%. Bashkimi Europpian ka marrë vetëm 1% të mbështetjes në këtë renditje.

Kërcënimi më i madh, siç edhe mund të pritej perceptohet se vjen nga Serbia me 76%, e Rusia me 16%. Rezultatet e sondazhit bëhen publike dy javë pasi Washingtoni pezulloi për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën.

Ky vendim i tij u arsyetua me shqetësimin për veprimet e Qeverisë në detyrë dhe të kryeministrit, Albin Kurti, për të cilat u tha se “rrisin tensionet dhe destabilitetin”.

Kosova dhe SHBA-ja kishin planifikuar që këtë vit ta finalizonin marrëveshjen për dialogun strategjik, pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte njoftuar në janar për arritjen e ujdisë mes dy vendeve.

Top Channel