
Familja mbretërore e Abu Dhabit do të bëhet një nga aksionerët kryesorë të TikTok-ut në Shtetet e Bashkuara, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti Donald Trump, përmes një urdhri ekzekutiv që parashikon transformimin e pronësisë së kompanisë në favor të entiteteve amerikane dhe aleateve të saj.
Sipas marrëveshjes, fondi MGX i kryesuar nga Sheiku Tahnoon bin Zayed Al Nahyan do të marrë 15% të aksioneve në TikTok US dhe do të ketë një vend në bordin drejtues të kompanisë, pas ndarjes së saj nga kompania mëmë kineze, ByteDance.
Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv të enjten në mbrëmje, duke hapur rrugën për finalizimin e marrëveshjes brenda një periudhe 120-ditore. Sipas planit, konsorciumi i përbërë nga Oracle (e Larry Ellison), grupi i kapitalit privat Silver Lake dhe MGX do të kontrollojnë së bashku rreth 45% të TikTok US, ndërsa kompanitë amerikane në total do të mbajnë mbi 65% të aksioneve.
Trump përmendi gjithashtu emrat e Michael Dell dhe Fox-it të Rupert Murdoch si investitorë të tjerë në këtë projekt, që sipas tij përfaqëson një rikthim të kontrollit amerikan mbi një nga rrjetet sociale më të përdorura në botë.
“TikTok US do të jetë në pronësi shumicë dhe nën kontroll të plotë të amerikanëve. Nuk do të jetë më nën ndikimin e ndonjë kundërshtari të huaj,” tha Trump. “Investitorët amerikanë që po e marrin në dorë janë nga më të mëdhenjtë Larry Ellison, Dell, Fox. Kjo do të jetë një kompani krejtësisht amerikane.”
Megjithatë, ByteDance do të ruajë një pjesë të konsiderueshme të aksioneve, me një zotërim prej 19.9% në operacionet amerikane të TikTok-ut.
Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga autoritetet kineze nëse do ta aprovojnë këtë marrëveshje, por Trump ka deklaruar se ka zhvilluar një bisedë të mirë me presidentin kinez, Xi Jinping, i cili sipas tij ka dhënë “dritën jeshile”.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha se marrëveshja e vlerëson TikTok US me 14 miliardë dollarë dhe synon të garantojë privatësinë e të dhënave të përdoruesve amerikanë.
“Ka pasur disa kundërshtime nga pala kineze,” deklaroi Vance, “por qëllimi ynë ka qenë që TikTok të vazhdojë të funksionojë, por në mënyrë që të garantojë sigurinë e të dhënave të qytetarëve tanë.”
Ai shtoi se kjo marrëveshje u jep përdoruesve amerikanë më shumë siguri dhe transparencë për mënyrën si menaxhohen të dhënat e tyre, duke shmangur rrezikun e përdorimit të platformës për qëllime propagandistike.
Top Channel