
Një moment i filmuar mes Donald dhe Melania Trump, i cili u bë viral në rrjetet sociale për shkak të gjesteve të ashpra dhe bisedës, nuk ishte një grindje personale, por një diskutim për një incident diplomatik, sipas asaj që raporton ekskluzivisht Daily Mail.
Çifti u filmua përmes dritareve të Marine One, ndërsa helikopteri presidencial u ul në South Lawn të Shtëpisë së Bardhë mbrëmjen e së mërkurës. Në pamje, Donald Trump shihet duke folur me tone të larta, ndërsa Melania tundte kokën dhe reagonte me gjeste.
Pamjet u interpretuan në mënyra të ndryshme në internet, sidomos nga kritikët politikë të krahut të majtë, të cilët spekuluan se bëhej fjalë për një mosmarrëveshje mes çiftit duke e krahasuar madje me momentin famëkeq kur Brigitte Macron shtyu bashkëshortin e saj Emmanuel Macron nga fytyra në një dalje publike.
Por Jeremy Freeman, lexues i njohur i buzëve dhe dëshmitar ekspert në çështje ligjore në Mbretërinë e Bashkuar, ka deklaruar për Daily Mail se nuk ka pasur asnjë grindje mes çiftit Trump. Sipas analizës së tij, biseda kishte të bënte me incidentin e shkallëve lëvizëse në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjatë javës së kaluar.
Freeman deklaroi: “Nga interpretimi im, Donald Trump nuk po shprehej me nervozizëm ndaj Melanias, por ndaj ngjarjes në OKB”.
Sipas leximit të buzëve, Melania i tha burrit të saj: “Ti thjesht vazhdove”, ndërsa Trump u përgjigj: “Ishte e pabesueshme. Si mund ta bësh këtë?”
Mesa duket se çifti po diskutonte me habi dhe zemërim për situatën, dhe jo për ndonjë çështje personale mes tyre.
Top Channel