
Në Durrës po zhvillohet konferenca e 33-të e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Menaxhimit në Shoqëritë Dinamike, një prej forumeve më të rëndësishme ndërkombëtare për arsimin dhe zhvillimin në fushën e menaxhimit.
120 dekane dhe drejtues të shkollave të biznesit nga mbarë bota janë mbledhur në Shqipëri për të diskutuar mbi “Rolin e shkollave të biznesit në një botë që po ndryshon.”
“Shqipëria ka kaluar transformime të rëndësishme në këto vite dhe qeveria i kushton një vëmendje të veçantë arsimit profesional. Të rinjtë tanë të sapodiplomuar duhet të luajnë një rol proaktiv në zhvillimin ekonomik dhe në nxitjen e sipërmarrjes”, u shpreh Olta Manjani-zv. ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Një nga momentet më të veçanta ishte dhe prezantimi i akademikut Sean Mehan, i cili foli mbi natyrën sipërmarrëse të drejtuesve shqiptarë dhe potencialin që ofron vendi për bashkëpunime ndërkombëtare.
“Jam i befasuar nga energjia dhe qasja sipërmarrëse e liderëve shqiptarë. Kjo është një bazë e fortë për ndërtimin e partneriteteve të reja dhe për rritjen e lidhjeve me bizneset ndërkombëtare”, deklaroi Sean Mehan, IMD Zvicër.
Përveç diskutimeve akademike dhe profesionale, të ftuarit kanë mundësinë të njihen me kulturën dhe traditat shqiptare, përmes aktiviteteve dhe festave të organizuara.
Gjatë konferencës, po diskutohet dhe mbi biznesin shqiptar e rajonal, si dhe mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në botën e sipërmarrjes.
Top Channel