
Më pak se dy javë nga njoftimi se SHBA-ja ka vendosur të pezullojë bashkëpunimin strategjik me Kosovës, kryeministri në detyrë i saj Albin Kurti ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Nga sa pohoi zyra e tij, do të zhvillojë edhe “takime dypalëshe me liderë në kuadër të javës së nivelit të lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”.
Se cilët janë saktësisht liderët me të cilët planifikon të takohet Kurti, kjo nuk përmendet në njoftim. Në deklaratën e kryeministrisë pohohet vetëm se “përmes pjesëmarrjes në javën e zhvillimeve të nivelit të lartë dhe takimeve të parashikuara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejshëm i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit në raport me vendet që nuk e njohin pavarësinë dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Kosova ofron për investitorë të huaj”. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Kurti gjithashtu do të takohet me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës.
Në një lëvizje që u pa si goditje e fortë për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, Washingtoni njoftoi në 12 shtator pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik duke e argumentuar këtë hap të tij me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës, për të cilat tha se kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.
Top Channel