Pronat u shtrenjtuan me 42%, çmimet më të larta në Tiranë, një apartamenti i duhet 1 vit kohë për t’u shitur

25/09/2025 15:59

Rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme nuk ka të ndalur. Një pronë në 6 mujorin e parë të vitit është shitur për rreth 42% më shtrenjtë se një vit më parë sipas Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë.

Për ekspertët e tregut ky trend ka ndjekur ecurinë e 2024, por krahasuar me vite më parë ritmi i rritjes së çmimeve është ngadalësuar.

Një ndikim të rëndësishëm në rritjen e çmimeve e jep kryeqyteti, në të cilin pronat u rritën me rreth 32%. Çka do të thotë se nëse një pronë 1 vit më parë shitej 100 mijë euro tashmë vlera e saj është rreth 32 mijë euro më shumë.

Në këtë valë të rritjes së çmimeve kanë vijuar dhe pronat përgjatë bregdetit.

Çmimet më të larta kanë bërë që shitja e një banese të kërkoj më shumë kohë. Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi u rrit në 11.6 muaj, nga 9.3 muaj në vrojtimin e mëparshëm.  E njëjta situatë vërehet edhe në Tiranë ku për të shitur një banesë duhet mesatarisht  11.1, nga 7.1 muaj, ndërsa në bregdet duhet më shumë se 1 vit për të shitur një pronë.

Top Channel