
Presidenti Palestinez, Mahmoud Abbas, ka deklaruar se është i gatshëm të punojë me liderët botërorë për zbatimin e një plani të ri paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve, të shpallur nga Franca në një samit ndërkombëtar të mbajtur këtë javë.
Në një video gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Abbas përshëndeti nismën franceze dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me presidentin amerikan Donald Trump, Arabinë Saudite, Francën, OKB-në, duke e cilësuar planin si një hap të rëndësishëm drejt paqes së drejtë dhe bashkëpunimit rajonal.
Plani i propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe i kryesuar nga Arabia Saudite parashikon lirimin e njëkohshëm të 48 pengjeve të mbetura të mbajtura nga Hamasi, përfundimin e operacioneve ushtarake izraelite në të gjithë Gazën dhe krijimin e një administrate kalimtare që përjashton Hamasin dhe përfshin Autoritetin Palestinez. Kjo administratë do të hapte rrugën për krijimin e një shteti palestinez sovran të pavarur.
Presidenti Abbas ritheksoi se është kundër çdo roli qeverisës të Hamasit në Rripin e Gazës dhe kërkoi çarmatosjen e tij të plotë. Ai e dënoi sulmin ushtarak të Izraelit në Gaza, duke e cilësuar si një nga tragjeditë më të tmerrshme humanitare të shekujve 20 dhe 21. Megjithatë, ai gjithashtu hodhi poshtë sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 person dhe u morën peng 251 të tjerë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e kontrolluar nga Hamasi, që prej fillimit të luftës janë vrarë të paktën 65,502 palestinezë, përfshirë një numër të madh grash dhe fëmijësh. Ndërkohë, Abbas u bëri thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur një shtet palestinez ta bëjnë këtë pa vonesë dhe kërkoi që Kombet e Bashkuara t’i japin Palestinës anëtarësim të plotë.
Ai falënderoi vendet që kohët e fundit kanë ndërmarrë hapa në këtë drejtim, përfshirë Kanadanë, Australinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Portugalinë, si dhe Francën, Belgjikën, Luksemburgun, Maltën, Monakon, San Marinon, Andorrën dhe Danimarkën.
Në të njëjtën kohë, SHBA-të vazhdojnë të kundërshtojnë njohjen e një shteti palestinez në këtë fazë, duke e cilësuar si një shpërblim për Hamasin. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka akuzuar zyrtarët palestinezë për minimin e përpjekjeve për paqe dhe kërkimin e një njohjeje të njëanshme të një shteti të supozuar palestinez. Muajin e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit i revokoi vizat për Abbasin dhe 80 zyrtarë të tjerë palestinezë, duke i pamundësuar atij pjesëmarrjen fizike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Në fjalimin e tij, Abbas deklaroi se, pas përfundimit të luftës, një shtet palestinez duhet të marrë përgjegjësi të plotë për Rripin e Gazës, duke e lidhur atë me Bregun Perëndimor të pushtuar, me mbështetje të gjerë arabe dhe ndërkombëtare.
Ai gjithashtu njoftoi se do të nisë një proces të reformave të brendshme, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare brenda një viti nga përfundimi i konfliktit.
Sipas tij, qëllimi është ndërtimi i një shteti demokratik dhe modern, të përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar, sundimit të ligjit, pluralizmit politik, fuqizimit të grave dhe të rinjve dhe transferimit paqësor të pushtetit.
Megjithatë, Izraeli ka refuzuar çdo përfshirje të Autoritetit Palestinez në Gazë pas luftës, duke shprehur mosbesim të thellë ndaj qeverisë së Abbasit.
Plani i propozuar nga Franca ende nuk ka marrë mbështetjen e SHBA-ve apo të Izraelit, por mbështetja publike e tij nga lideri palestinez shënon një zhvillim të rëndësishëm në përpjekjet për të rikthyer një proces diplomatik drejt një zgjidhjeje me dy shtete.
Top Channel