Performanca e dobët në ndeshjen e Kupës, trajneri i del në mbrojtje Armando Brojës: Jepini kohë, besoj shumë te ai këtë sezon

25/09/2025 18:57

Burnley doli jashtë Kupës së Anglisë pas një paraqitjeje të dobët ndaj Cardiff City, në një ndeshje ku Armando Broja u aktivizua si titullar, por nuk arriti të lërë gjurmë.

Pavarësisht pritshmërive, sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk ishte vendimtar për skuadrën e tij dhe shpesh u duk larg formës më të mirë. Megjithatë, pas sfidës, trajneri i Burnley-t, Scott Parker, zgjodhi të mos e kritikojë, por përkundrazi, kërkoi durim dhe kohë për lojtarin.

“Armando ka nevojë për punë dhe kohë,” u shpreh Parker pas ndeshjes. “Është e qartë që nuk ka luajtur shumë futboll në dy sezonet e fundit, kështu që është normale të mos jetë ende në maksimum. Të gjithë duhet të kemi qetësi dhe të kuptojmë ku ndodhet ai aktualisht në aspektin fizik dhe mendor.”

Trajneri anglez shtoi se Broja tregoi momente pozitive dhe se ka potencial për të qenë i rëndësishëm për skuadrën këtë sezon.

“Mendoj se pamë disa sinjale pozitive. Është e dukshme që i duhen më shumë minuta dhe ritëm loje. Ka nevojë për stërvitje të vazhdueshme dhe angazhim të plotë. Ne do ta mbështesim dhe do të punojmë fort me të, sepse besoj se do të ketë një rol shumë të rëndësishëm për ne këtë vit.”

Burnley aktualisht është në një moment të vështirë, dhe rritja graduale e Brojës shihet si një faktor që mund të bëjë diferencën në fazën e dytë të sezonit.

Top Channel