
Amazon ka pranuar të paguajë 2.5 miliardë dollarë për të zgjidhur akuzat e FTC-së se ka mashtruar miliona klientë që të regjistroheshin në shërbimin Prime.
Sipas marrëveshjes së shpallur nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), 1.5 miliardë dollarë do të përdoren për rimbursime ndaj konsumatorëve që janë regjistruar në Prime pa informim të plotë ose me praktika manipulimi.
Kjo marrëveshje u arrit pak ditë pasi nisi gjyqi për çështjen në një gjykatë në Seattle, dhe përbën dënimin më të madh civil të siguruar ndonjëherë nga FTC.
Shërbimi Amazon Prime ofron përfitime si transport falas, akses në filma dhe seriale streaming, të cilat në SHBA kushtojnë 139 dollarë në vit ose 14.99 dollarë në muaj, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar është 95 paund në vit.
FTC e akuzoi Amazon se përdorte dizajne manipulimi gjatë procesit të pagesës, përmes dritareve “pop-up” që i nxisnin klientët të regjistroheshin në Prime pa u informuar qartë për kushtet. Po ashtu, FTC kritikoi ofertat për prova falas njëmujore, të cilat automatikisht i regjistronin klientët në një abonim me pagesë, pa i sqaruar.
“Provat treguan se Amazon përdori kurthe të sofistikuara abonimi për të manipuluar konsumatorët dhe për të vështirësuar ndjeshëm anulimin e shërbimit,” tha kryetari aktual i FTC-së, Andrew Ferguson.
“Sot po i kthejmë miliarda dollarë qytetarëve amerikanë dhe po vendosim rregulla të qarta për të parandaluar praktika të tilla në të ardhmen,” shtoi ai.
Rreth 35 milionë klientë në SHBA, që janë prekur nga këto praktika ndërmjet qershorit 2019 dhe qershorit 2025, do të jenë të kualifikuar për rimbursime deri në 51 dollarë, sipas FTC-së.
Amazon ka pranuar të rimbursojë automatikisht ata klientë që e kanë përdorur Prime më pak se tre herë brenda vitit pas regjistrimit ndërsa klientët që e kanë përdorur më pak se 10 herë janë gjithashtu të kualifikuar, por duhet të paraqesin një kërkesë zyrtare për rimbursim.
Si pjesë e marrëveshjes, Amazon është zotuar se do të heqë dizajnet mashtruese në faqe, si butonat që thonin: “Jo, nuk dua transport falas”, si dhe të krijojë një proces të thjeshtuar për anulimin e abonimeve Prime.
Dokumente të brendshme të Amazon të siguruara gjatë hetimit tregonin se vetë punonjësit dhe drejtuesit ishin të vetëdijshëm për problemet, duke përshkruar procesin e abonimeve si “një botë paksa e errët”.
Akuzat fillimisht u ngritën gjatë administratës së Presidentit Joe Biden, kur FTC drejtohej nga Lina Khan, një kritikë e njohur e gjigantëve të teknologjisë. Aktualisht, FTC drejtohet nga Andrew Ferguson, i emëruar nga Presidenti Donald Trump, i cili gjithashtu ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj kompanive të mëdha teknologjike.
Top Channel