Tronditëse në Itali, kryebashkiaku vihet nën hetim për dhunë ndaj gruas së tij Sulmi ndaj Rusisë dhe kritika ndaj Izraelit ishin dy pikat kryesore të fjalimit të kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Fillimisht, ajo tha për Rusinë se ajo “shkelte qëllimisht Nenin 2 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke shkelur pavarësinë dhe integritetin territorial të një shteti sovran, me vullnetin për të aneksuar territoret e tij”.
Në të njëjtën kohë, ajo shtoi se Moska “deri më sot nuk duket e gatshme të marrë seriozisht asnjë thirrje për t’u ulur në tryezën e negociatave për paqe” dhe se “kjo plagë e thellë e shkaktuar ndaj së drejtës ndërkombëtare ka krijuar pasoja destabilizuese që shkojnë shumë përtej kufijve të kësaj lufte të veçantë”.
Sa i përket Izraelit, megjithëse dënoi sulmin e 7 tetorit nga Hama, ajo akuzoi Tel Avivin se “ka tejkaluar kufijtë e parimit të proporcionalitetit” me reagimin e tij.
“Një zgjedhje që Italia e ka përshkruar vazhdimisht si të papranueshme dhe që do të çojë në votën tonë pozitive për disa nga sanksionet e propozuara nga Komisioni Europian kundër Izraelit”, vuri në dukje Meloni.
Kryetarja e qeverisë së Romës i bëri thirrje Izraelit “të dalë nga kurthi i kësaj lufte”.
“Duhet ta bëjë këtë për historinë e popullit hebre, për demokracinë e tij, për të pafajshmit, për vlerat universale të botës së lirë, pjesë e së cilës është”, tha ajo.
Georgia Meloni, më në fund, i përshkroi si “veçanërisht interesante propozimet që presidenti amerikan diskutoi në orët e fundit me vendet arabe” dhe deklaroi se ishte “e gatshme të ofronte ndihmën e saj”.
Top Channel