
Një gjykatë në Paris e ka shpallur ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy fajtor për konspiracion kriminal në një gjyq në të cilin ai u akuzua se kishte marrë miliona euro fonde të paligjshme nga diktatori libian Muammar Gaddafi për fushatën e tij të suksesshme zgjedhore të vitit 2007.
Megjithatë, Sarkozy u lirua nga të gjitha akuzat e tjera, përfshirë korrupsionin pasiv dhe financimin e paligjshëm të fushatës me vlerë dhjetëra milionë dollarë.
Sarkozy, i cili gjithmonë i ka mohuar akuzat, akuzohet se ka bërë një marrëveshje me Gaddafin në vitin 2005, kur ai ishte ministër i brendshëm i Francës, për të marrë fonde për fushatën e tij zgjedhore në këmbim të mbështetjes së qeverisë libiane të atëhershme të izoluar në skenën ndërkombëtare.
70-vjeçari është në gjyq që nga janari me akuzat për “fshehje të përvetësimit të fondeve publike, korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të një fushate zgjedhore dhe konspiracion kriminal për të kryer një krim”.
Ky është gjyqi më i madh për korrupsion me të cilin është përballur Sarkozy, pasi është dënuar tashmë në dy raste të tjera: një për korrupsion dhe ushtrim ndikimi për të përfituar në mënyrë të paligjshme trajtim të favorshëm nga një gjyqtar, dhe tjetri për fshehjen e shpenzimeve të tepërta të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, në të cilat ai u mund nga kandidati socialist François Hollande.
Top Channel