Dëshmi të rreme për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale në 2016, prokurorët federalë drejt padisë ndaj ish-drejtorit të FBI-së

25/09/2025 07:07
Getty Images

Prokurorët federalë në Distriktin Lindor të Virxhinias po përgatiten të kërkojnë nga një juri e madhe të ngrejë padi penale kundër ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, për deklarata të rreme dhënë nën betim para Kongresit në vitin 2020, në lidhje me hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Burime të njohura me hetimin thanë se prokurorët kanë vetëm disa ditë kohë për të paraqitur çështjen përpara se të skadojë afati pesëvjeçar ligjor për ngritjen e akuzës. Nëse juria e madhe pranon ta miratojë padinë, kjo do të shënonte një nga veprimet më të rëndësishme ligjore kundër një ish-zyrtari të lartë gjatë mandatit të dytë të Presidentit Donald Trump.

Hetimi, që është intensifikuar javët e fundit, është bërë edhe më i ndjeshëm politikisht pas shkarkimit të Erik Siebert, ish-Prokurorit të SHBA-së që mbikëqyrte çështjen. Në vend të tij, Trump emëroi Lindsey Halligan, ish-avokate personale e tij, si Prokurore të Përkohshme. Halligan është parë ditët e fundit në selinë e Departamentit të Drejtësisë në Aleksandri.

Comey, i cili nuk është zyrtarisht i akuzuar, ka mohuar çdo keqbërje dhe ka deklaruar se ka qenë i sinqertë në dëshmitë e tij. Avokatët e tij nuk kanë komentuar publikisht mbi hetimin.

Presidenti Trump ka kritikuar publikisht ritmin e hetimeve dhe ka kërkuar më shumë agresivitet nga Departamenti i Drejtësisë kundër atyre që ai i konsideron si pjesë e “shtetit të thellë”, përfshirë vetë Comey-n.

Kujtojmë se Comey u shkarkua nga Trump në vitin 2017, pas mosmarrëveshjeve për hetimin e ndërhyrjes ruse. Ai ka qenë më pas një kritik i hapur i Trump dhe një figurë e kontestuar në debatin politik amerikan.

Në të kaluarën, një raport nga Inspektori i Përgjithshëm i DOJ-së kishte konstatuar se Comey kishte shkelur politika të brendshme të FBI-së për ruajtjen dhe shpërndarjen e memorandumeve, por nuk kishte gjetur prova për shpërndarje të informacionit të klasifikuar.

Vendimi për ngritjen e padisë pritet brenda pak ditësh, ndërsa vëmendja publike dhe politike ndaj çështjes po rritet ndjeshëm.

Top Channel