A do të marrë pjesë Izraeli në Eurovision? Ja kur do ta marrë vendimin final EBU

25/09/2025 21:00

Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) do të mbajë një votim për të vendosur nëse Izraeli do të lejohet të marrë pjesë në Konkursin e Këngës Eurovision 2026, i cili do të zhvillohet në Austri.

Kjo vjen pas kërkesave në rritje nga disa vende anëtare për përjashtimin e Izraelit, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Gaza.

Në një letër drejtuar transmetuesve anëtarë, presidentja e EBU-së, Delphine Ernot-Cunci, pranoi se ekziston një “diversitet i paparë i pikëpamjeve” mbi pjesëmarrjen e Izraelit, KAN. Ajo theksoi se për shkak të thellësisë së mosmarrëveshjes, Këshilli Ekzekutiv nuk ishte në gjendje të arrinte një konsensus.

“Këshilli beson se Unioni duhet të mbështesë përfshirjen dhe dialogun e hapur kulturor, që janë vlera themelore të medias së shërbimit publik”, thuhet në letër. Megjithatë, për shkak të natyrës përçarëse të çështjes, EBU ka vendosur ta trajtojë situatën ndryshe.

“Pasi Këshilli e pranoi se nuk mund të arrihej një qëndrim i përbashkët, u ra dakord që çështja të shtrohet për votim në një bazë më të gjerë demokratike, në mënyrë që zërat e të gjithë anëtarëve të dëgjohen”, thuhet më tej.

Një Asamble e Përgjithshme e jashtëzakonshme e EBU-së do të mbahet në mënyrë virtuale në fillim të nëntorit, ku anëtarët do të votojnë për fatin e pjesëmarrjes së Izraelit në edicionin e ardhshëm të Eurovision-it.

Në reagimin e tij, transmetuesi publik izraelit KAN shprehu shpresën që “Konkursi i Këngës në Eurovision të vazhdojë të ruajë karakterin e tij kulturor dhe apolitik”.

Top Channel