
Një gjykatë në Korenë e Jugut ka dënuar me 15 vite burg drejtorin ekzekutiv të një fabrike baterish litiumi, pas një zjarri vdekjeprurës që ndodhi në qershor të vitit 2024 dhe që mori jetën e 23 personave, përfshirë 18 punëtorë të huaj, dhe la të plagosur të paktën tetë të tjerë.
Ngjarja ndodhi në një fabrikë të kompanisë Aricell, në qytetin Hwaseong, rreth 45 km në jug të Seulit. Gjykata e cilësoi zjarrin si “një fatkeqësi e parashikueshme”, duke deklaruar se drejtori Park Soon-kwan dhe drejtues të tjerë të kompanisë kishin përgjegjësi direkte për vdekjet e punëtorëve.
Ky është dënimi më i gjatë i dhënë ndonjëherë sipas ligjit të sigurisë industriale në Korenë e Jugut, i cili parashikon burgim minimal prej një viti ose gjoba deri në një miliard won (rreth 715,000 dollarë) për ngjarje me pasoja fatale në vendin e punës.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej 20 vitesh, duke argumentuar se kompania kishte bërë ndryshime në fabrikë që vështirësonin evakuimin e punëtorëve në rast emergjence.
Edhe djali i Park, i cili mban një pozicion të lartë drejtues në kompani, u dënua me 15 vite burg dhe një gjobë prej 1 milion won. Hetuesit zbuluan se kompania nuk kishte masat e duhura të sigurisë, as trajnim adekuat për punonjësit, pavarësisht natyrës së rrezikshme të prodhimit të baterive litium.
Pas zjarrit, drejtori ekzekutiv kërkoi falje publike, por mohoi që fabrika kishte mangësi në siguri.
Në kohën e zjarrit, në katin e dytë të fabrikës ndodheshin rreth 35,000 qeliza baterish, aty ku bëhej inspektimi dhe paketimi i tyre. Zjarret me litium janë jashtëzakonisht të vështira për t’u shuar, pasi reagojnë ashpër me ujë — zjarrfikësit u detyruan të përdorin rërë të thatë për ta vënë zjarrin nën kontroll, proces që zgjati për orë të tëra.
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, deklaroi se vendi nuk po bën mjaftueshëm për të mbrojtur jetën e punëtorëve në vendin e punës dhe ka premtuar masa më të ashpra ndaj bizneseve ku ndodhin aksidente me pasoja fatale.
Koreja e Jugut është ndër prodhuesit kryesorë të baterive litium në botë, të cilat përdoren në produkte që nga automjetet elektrike deri te laptopët dhe pajisjet portative.
Top Channel