
Qytetarët e shumtë të cilët frekuentojnë zonën e liqenit në kryeqytet po përballen me një shqetësim, atë të skuterave apo monopatinave elektrike që lëvizin me një shpejtësi që nis nga 20 km/h deri në 60 km/h.
Vet qyetarët shprehen se ndjehen të rrezikuar pasi mjete të tilla elektrike shpeshherë ecin mes tyre pikërisht këtu në zonën e liqenit, duke rrezikuar jo vetëm fëmijët e vegjël, por edhe më të rriturit dhe të moshuarit.
“Janë problematik, krijohen vështirësi në qarkullim”.
“Nuk i duam fare, e kemi shumë të vështirë për të ecur, dy herë jam rrëzuar”.
“Janë shumë të rrezikshëm dhe i përdorin shumë keq. Ne i kemi parë fëmijët disa herë që rrëzohen”.
“Nuk di kë të mbrosh, fëmijën apo veten. Nuk them të mos jenë, por të merren masa”.
Të tillë individë që përdorin monopatinat senzibilizohen nga policët bashkiak për të qenë më të kujdesshëm në një zonë si liqeni, aq shumë të vizituar. Por shqetësimi vijon edhe në rrugët kryesore të qytetit ku lëvizja e mjeteve elektrike shtohet dita ditës.
Artur Sulçe, ekspert i sigurisë rrugore bën thirrje që kodi ynë rrugor të përshtatet me atë europian sa i takon përdorimit të monopatinave.
“E para njëherë kodi ynë rrugor të përshtatet me atë të BE në lidhje me monopatinat dhe elementi i dytë, qyteti i Tiranës duhet të bëhet një Smart City në mënyrë që ato të kalojnë në rrugë të sigurta dhe rrugë të përcaktuara për to. Dhe njëkohësisht, fushatat nuk duhet të jenë as një mujore, as pesë ditore kur ndodh një aksident por duhet të jetë një pune e vazhdueshme për edukimin qoftë të këtij brezi, qoftë për çiklistët qoftë të motociklistëve pasi janë përdorues me rrezik të lartë”, thotë Sulçe.
Ndonëse monopatinat elektrike kanë krijuar lehtësira për përdoruesit, është e rëndësishme që të ketë rregulla të qarta për përdorimin dhe zonat që lejohen të kalojnë, pasi nuk janë të pakta rastet që janë kthyer në burim aksidentesh apo pengesash në rrugë.
Top Channel