Pesë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në përleshjet mes policisë dhe protestuesve në Indi

24/09/2025 20:44

Pesë persona u vranë në Indi gjatë përleshjeve midis policisë dhe qindra protestuesve që kërkonin më shumë autonomi për rajonin himalajan të Ladakh-ut, njoftoi policia indiane, duke shtuar se “dhjetëra” të tjerë u plagosën.

“Patëm pesë vdekje pas protestës”, tha një oficer policie në qytetin e Leh, më i madhi në rajon, i cili kërkoi të mbetet anonim pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat.

Sipas autoriteteve, policia hapi zjarr për vetëmbrojtje, duke pretenduar se situata u vu nën kontroll rreth orës 16:00, me orën lokale.

Në Leh, protestuesit i vunë flakën një automjeti policie dhe zyrave lokale të partisë në pushtet, Bharatiya Janata Party (BJP), të kryeministrit nacionalist Narendra Modi. Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë turmën.

“Shumë njerëz, përfshirë policë, u plagosën”, konfirmoi oficeri i policisë Regzin Sanghdup.

Pas trazirave, autoritetet vendosën kufizime në lëvizje, duke ndaluar tubimet në rajon. Ladakh është një territor federal që administrohet drejtpërdrejt nga qeveria qendrore në Nju Delhi.

Rajoni numëron rreth 300,000 banorë, nga të cilët gati gjysma janë myslimanë dhe rreth 40% budistë. Hinduistët, që përbëjnë shumicën në pjesën tjetër të Indisë, janë pakicë në këtë rajon malor dhe të thatë që kufizohet me Kinën dhe Pakistanin.

Protesta u organizua nga aktivistë që mbështesin Sonam Wangchuk, një aktivist i shquar i cili ka qenë në grevë urie për dy javë. Ai kërkon që Ladakh të fitojë statusin e shtetit ose që popujve indigjenë dhe fiseve lokale t’u garantohen të drejta kushtetuese për të përcaktuar vetë politikat dhe ligjet e tyre.

“Pakënaqësia sociale shpërthen kur të rinjtë janë të papunë dhe të privuar nga të drejtat e tyre demokratike. Edhe Shtojca e Gjashtë që na u premtua (…) nuk është zbatuar”, shkroi Wangchuk në rrjetet sociale, duke i nxitur banorët e Ladakh-ut të shmangin çdo akt dhune “çfarëdo që të ndodhë”.

Shtojca e Gjashtë e Kushtetutës së Indisë parashikon masa për të garantuar autonomi dhe mbrojtje për komunitetet indigjene.

Për dekada, Ladakh ishte pjesë e shtetit indian të Jammu dhe Kashmir, derisa në vitin 2019 qeveria Modi i hoqi këtij rajoni statusin gjysmë-autonom dhe e vendosi nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Nju Delhit. Prej atëherë, populli i Ladakh-ut ka kërkuar krijimin e një parlamenti të vetin, ruajtjen e kulturës lokale dhe mbrojtjen e mjedisit të brishtë të rajonit.

Top Channel