
Një avion ushtarak spanjoll që transportonte Ministren e Mbrojtjes, Margarita Robles pësoi një bllokim të GPS-it këtë mëngjes, duke ripërsëritur incidentin e ndodhur në fillim të shtatorit me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.
Mësohet se avioni ushtarak spanjoll, një A330 ishte duke udhëtuar pranë enklavës ruse të Kaliningradit, në momentin që u bllokua GPS. Ministrja e Mbrojtjes ishte duke udhëtuar drejt Lituanisë ku do të takohej me homologun e saj lituanez Dovile Sakaliene, ndërsa në bord ndodheshin edhe të afërm të pilotëve spanjollë, të cilët marrin pjesë në misionin e NATO-s në krahun lindor të Evropës.
Përpjekja e dukshme për të prishur GPS-in e aeroplanit nuk ndikoi në fluturim, pasi avioni merr sinjal nga një satelit ushtarak, sipas gazetës spanjolle El Mundo.
Zyrtarët thanë se incidente të tilla me GPS-in janë të zakonshme pranë Kaliningradit, si për avionët civilë, ashtu edhe për ata ushtarakë, ndërkohë që Ministria Spanjolle e Mbrojtjes raportoi se javën e kaluar forcat spanjolle kishin kapur tetë avionë rusë mbi Detin Baltik.
Në fillim të shtatorit një bllokim i GPS detyroi avionin me të cilin udhëtonte Ursula Von der leyen të ulej duke përdorur vetëm hartat e printuara për shkak të ndërhyrjes së dyshuar ruse.
Bashkimi Evropian ka deklaruar se do të vendosë satelitë shtesë në orbitën e ulët të Tokës për të rritur rezistencën ndaj ndërhyrjeve në sistemin GPS , me qëllim kryesor përmirësimin e aftësive të tyre të zbulimit.
Top Channel