
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar një situatë alarmante për përhapjen e hipertensionit të pakontrolluar në shkallë globale, duke theksuar se kjo sëmundje prek aktualisht 1.4 miliardë njerëz, ndërsa vetëm 1 në 5 persona e ka nën kontroll.
Sipas raportit të dytë global mbi hipertensionin, boshllëqet në parandalim, diagnostikim dhe trajtim janë më të theksuara në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Në shumë prej këtyre vendeve, qasja ndaj ilaçeve të rekomanduara nga OBSH-ja është e kufizuar, ndërsa infrastruktura shëndetësore dhe burimet njerëzore mbeten të pamjaftueshme.
Vetëm 28% e këtyre vendeve raportojnë disponueshmëri të plotë të barnave për trajtimin e hipertensionit në sistemin e kujdesit parësor, krahasuar me 93% të vendeve me të ardhura të larta.
Hipertensioni është një ndër shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë atakun në zemër, goditjet në tru dhe sëmundjet kronike të veshkave. Organizata paralajmëron se mungesa e veprimit urgjent do të çojë në miliona vdekje të parakohshme dhe kosto të larta ekonomike, rreth 3.7 trilionë dollarë brenda këtij viti për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se vendet kanë mjetet për ta ndryshuar këtë realitet, nëse investojnë në shërbime shëndetësore cilësore dhe integrojnë trajtimin e hipertensionit në kujdesin parësor. Ai nënvizoi se çdo orë humbin mbi 1,000 jetë nga sëmundje që mund të parandaloheshin.
Raporti thekson se një numër vendesh po arrijnë përparim përmes politikave të forta shëndetësore, rritjes së ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të qasjes në trajtim. Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha, si nga mungesa e pajisjeve matëse të presionit të gjakut, te ilaçet e shtrenjta, mungesa e protokolleve të trajtimit dhe dobësia e sistemeve të informacionit.
OBSH apelon për reforma urgjente, mbështetje financiare dhe angazhim politik për të frenuar përhapjen e kësaj sëmundjeje të heshtur, e cila po shndërrohet në një krizë globale të shëndetit publik.
Top Channel