
Rusia i cilëson si “histeri” pretendimet e NATO-s për shkelje të hapësirës ajrore të aleancës. Këto deklarata vijnë një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se aleatët duhet të rrëzojnë avionë rusë, nëse ata shkelin hapësirën ajrore të tyre.
Shtetet e NATO-s kanë thënë se disa avionë luftarakë dhe dronë rusë kanë shkelur hapësirat ajrore të shteteve evropiane gjatë javëve të fundit, duke e akuzuar Moskën se po teston kufijtë e aleancës ushtarake perëndimore.
“Ne po dëgjojmë një histeri të ekzagjeruar lidhur me pilotët tanë ushtarakë që gjoja po shkelin disa rregulla dhe po shkelin hapësirën ajrore të ndonjë shteti”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se këto pretendime ishin “të pabaza”.
Avionët e NATO-s kanë detektuar tre avionë luftarakë rusë javën e kaluar, pasi ata hynë në hapësirën ajrore estoneze mbi Gjirin e Finlandës.
Më 22 shtator, Danimarka u detyrua të mbyllë një aeroport në Kopenhagë, pasi tha se dronë të paidentifikuar detyruan dhjetëra fluturime të anuloheshin apo të ndryshonin itinerarin, duke prekur mijëra pasagjerë.
“Aviacioni ynë ushtarak respekton të gjitha rregullat e fluturimeve, udhëhiqet nga to dhe iu përmbahet në mënyrë të rreptë”, tha Peskov gjatë një konference për media për gazetarët. Më herët, incidente me dronë u regjistruan edhe në Rumani e Poloni
Top Channel