
Rana e Hedhun në Shëngjin është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara të turistëve të huaj edhe gjatë shtatorit.
Dhjetëra pushues nga vende të ndryshme të Europës kanë zgjedhur të kalojnë këto ditë pranë bregdetit, duke e zgjatur sezonin turistik deri në fund të tetorit e madje deri në nëntor.
Rreth 30 kampera janë vendosur pranë Ranës së Hedhun, ndërsa çdo ditë mbërrijnë edhe 10–15 të rinj. Turistët thonë se i tërheq bukuria e natyrës, qetësia, pastërtia dhe mikpritja e banorëve, që nuk i lë të ndihen kurrë vetëm. Një tjetër arsye është edhe çmimi, që sipas tyre mbetet më i ulëti në Europë.
Mario Gjini, i riu që bashkëpunon më së shumti me turistët, pohon se fluksi është i vazhdueshëm dhe se shumë prej vizitorëve jo vetëm që rikthehen, por sjellin edhe miqtë e tyre.
Shtatori në Ranën e Hedhun duket se u përket të huajve. Edhe pse flasin gjuhë të ndryshme, ajo që i bashkon është përjetimi i një zone unike, ku natyra dhe mikpritja shqiptare i kanë bërë për vete.
Top Channel