
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, anëtari i këshillit Endrit Braimllari ka kërkuar që debati për shkarkimin e Erion Veliajt të mos trajtohet si një përballje politike apo gjyqësore, por si një proces i nevojshëm për të garantuar vijueshmërinë e punës në qytet.
“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të sqarojmë opinionin publik dhe qytetarët që ne nuk jemi një institucion gjyqësor që marrim vendime mbi veprimtaritë mbi të cilat ndodhet kryebashkiaku i Tiranës. Jemi të gjithë të bindur që ka ardhur koha, jo për shkakun tonë, Tirana ka nevojë për një drejtues të ri, për shkak se duhet të çohen përpara punët, por dhe duhet një drejtues që t’i japi qetësi e siguri ekipit.
E kuptoj shqetësimin e madh të kolegëve opozitar që kalojnë në protagonizëm personal duke iu drejtuar krahut në të cilin ne bëjmë pjesë. E nderuar kryetare dhe të nderuar anëtarë, kam një propozim konkret, një propozim që duhet të bëhet model me qëllim që e mira publike të burojë nga puna jonë e përbashkët.
Të bashkohen të tre kërkesat në një akt të vetëm, patjetër referuar ligjit për vetëqeverisjen qendrore, duke lënë mënjane betejën politike dhe duke u fokusuar te interesi i qytetarëve që punët e Bashkisë të ecin para”, tha Endrit Braimllari.
Pas propozimit të tij, Këshilli Bashkiak votoi duke e miratuar kërkesën e tij.
Top Channel