
Karriget e opozitarëve në komisionet parlamentare nuk do lihen bosh.
Demokratët u mblodhën para seancës plenare dhe hoqën nga tryeza opsionin e bojkotit, duke vendosur që të çojnë emrat e kryetarëve, nënkryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve zyrtarisht në parlament, ndonëse nuk janë dakord me strukturën e re të Kuvendit.
Plotësimi i karrigeve në komisione parlamentare nuk do të thotë pajtim me strukturën e re të miratuar nga socialistët me votën e tyre, pasi demokratët kanë depozituar padinë në Gjykatën Kushtetuese kundër Rregullores së Kuvendit.
Nëse Niko Peleshi do të duhet të mbrojë rregulloren e Kuvendit para gjyqtarëve kushtetues, Edi Rama dhe Bajram Begaj do të duhet të mbrojnë Diellën. Pjesë të padive të depozituara në Kushtetuese është edhe dekreti presidencial që i hapi rrugë ministres së parë virtuale.
Në pjesën e hapur të mbledhjes, target i sulmeve të Sali Berishës ishte vetëm Edi Rama.
Deputetët u porositën që, krahas votës pro përbërjes së komisionit, të kundërshtojnë strukturën e re në foltore.
Top Channel