
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, anuloi të martën një takim të planifikuar me udhëheqësit demokratë të Kongresit, i cili synonte të gjente një zgjidhje për të shmangur mbylljen e pjesshme të qeverisë që mund të ndodhë javën e ardhshme.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se nuk do të takohej me demokratët nëse ata nuk bien dakord me disa nga kërkesat e tij, duke e quajtur takimin të paefektshëm.
“Kam vendosur që asnjë takim me udhëheqësit e tyre të Kongresit nuk mund të jetë produktiv,” shkroi ai.
Udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer dhe udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, kishin deklaruar më herët gjatë ditës se Trump kishte rënë dakord të zhvillonte takimin këtë javë në Shtëpinë e Bardhë, përpara se të skadonte afati për financimin më 30 shtator.
Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, miratoi javën e kaluar një projektligj për financim të përkohshëm që do të zgjaste financimin e qeverisë deri më 21 nëntor. Megjithatë, në Senat, republikanët mbajnë vetëm 53 nga 100 vendet, çka e vështirëson miratimin pa mbështetjen e demokratëve.
Të dyja palët po akuzojnë njëra-tjetrën për ngërçin ku republikanët fajësojnë demokratët për vonesat, duke i lidhur ato me kundërshtimin ndaj presidentit, ndërsa demokratët kërkojnë që projektligji të përfshijë çështje të rëndësishme si kujdesi shëndetësor.
Përplasja në Kongres lidhet kryesisht me të ashtuquajturin buxhet fleksibël, që përbën rreth një të katërtën e buxhetit federal prej afërsisht 7 trilionë dollarësh. Ky financim përfshin shumë nga programet qeveritare që duhet të miratohen çdo vit nga Kongresi.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 30 shtator, qeveria federale rrezikon të hyjë në një mbyllje të pjesshme, gjë që do të ndikonte në shërbime kyçe publike dhe në pagesat e punonjësve federalë.
Top Channel