
Ka përfunduar takimi mes krerëve të grupeve parlamentare, teksa opozita ka deklaruar se ata nuk e kanë braktisur kurrë Kuvendin, teksa sipas tyre kjo nuk do të ndodhë.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se nëse shkelet rregullorja opozita do të reagojë.
“Kryetari i Kuvendit e ka për detyrë të informojë krerët e grupeve parlamentare për delegacionet e përhershme në organizatat ndërkombëtare.
Në datën 29 shtator mblidhet Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe ky proces duhet të ecë një orë e më parë për të akredituar delegacionin e Parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Kemi dhënë vlerësimet tona, mbi përfaqësimin e opozitës në këto institucione dhe sigurisht një takim i thirrur në përputhje me rregulloren nga institucionet e Kuvendit as ka qenë lënë ndonjëherë bosh nga opozita as nuk do lihet ndonjëherë bosh nga opozita.
Sa i takon emrave patjetër që emrat e komisioneve janë depozituar zyrtarisht sipas procedurave përkatëse parlamentare.
Gjekmarkaj dje tha atë që kishte ndodhur në konferencën e kryetareve, detyrat për të ndjekur procedurat mbi këtë çështje është e kreut të grupit”, u shpreh Bardhi.
Gazetarja: A do kemi jetë normale parlamentare me dërgimin e emrave të komisioneve?
“Sigurisht qe ne rast se do shkelet rregullorja patjetër, që opozita do të reagojë, s’mund të kemi opozitë të vdekur në Parlament ku Edi Rama mund të vijë dhe të bëjë gjithçka me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit”.
Gazetarja: A folët për mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit për mocionin ndaj Peleshit?
“Nuk ishte qëllimi i takimit shkarkimi i Peleshit, në përputhje me nenin 20 të rregullores kreu i Kuvendit ka detyrë të konsultohet për delegacionet ndërkombëtare dhe takimi kishte vetëm për këtë qëllim”.
Gazetarja: Rama paralajmëroi se nëse do keni sjelljen që keni pasur seancat do zgjasin sa zgjat një proces votimi, a do ndryshoni strategji?
“Së pari ne nuk marrim udhëzime nga Rama, ai udhëzon grupin e vet parlamentar se çfarë bën grupi i PD dhe opozita është vendimmarrje. Kërcënimet që bën është mësuar t’i bëjë në grupin e vet të deputetëve dhe nëpër bashki por nuk do i bëjë në Kuvend”, tha Bardhi.
Top Channel