Monografia e Petro Markos/ Studiuesi Behar Gjoka sjell fakte dhe detaje të panjohura me “Shkrimtari i Lirisë”

23/09/2025 13:39

Petro Marku është themeluesi i prozës moderne shqiptare, thekson studiuesi Behar Gjoka, që pas disa vitesh hulumtim në figurën e shkrimtarit vjen me një monografi nën titullin “Shkrimtari i lirisë”.

Nëse do të lexohet sidomos Qyteti i fundit, kryevepra e tij, ky roman përgatiti ardhjen e Gjeneralit të Kadaresë… Është nga ato figura që i ka dhënë shumë publicistikës, i ka dhënë shumë letërsisë, i ka dhënë fjalës së lirë”, shprehet Behar Gjoka, studiues.

Për Gjokën, Petro Marko është poeti, dramaturgu, tregimtari, publicist, njeriu që dha gjithçka për letërsinë.

Për mua është pas Migjenit në poezinë shqipe të viteve 30, po ashtu është heshtur që është dramaturg, ndërkohë ka tre tekste dramash që duhet të jenë pjesë e fondit të dramaturgjisë shqipe”, shton ai.

Me një pjesë autobiografike që është pjesë e librit, Gjoka sjell fakte dhe detaje të pazbuluara nga krijimtaria e autorit që i hapi rrugë modernizimit të letërsisë shqipe.

Ai nuk ra dakord me monarkinë, nuk ra dakord me fashizmin dhe e burgosën, nuk ra dakord me komunizmin. Nuk ka qenë asnjëherë anëtar i Partisë së Punës se ishte rebel”, shton më tej ai.

Në librin Qyteti i fundit, ai thotë fatmirësisht më ndihmoi ish-kryeministri Mehmet Shehu që të botohet i plotë, por në 1973, Mehmet Shehu bëri një letër për ta varrosur si individ”, shprehet Gjoka.

Duke prekur të gjitha zhanret, Gjoka nxjerr në dritë krijimtari të panjohur të Markos.

Nëse do të kërkojmë të bukurën, te Petro do ta gjejmë. Nëse do të kërkojmë të vërtetën, te Petro do ta gjejmë. Nëse do të kërkojmë dritëhijet që kemi sot, do t’i gjejmë. Petro na zbulon jo vetëm kohën e tij, por edhe këtë kohë”, shprehet Behar Gjoka.

Sipas kritikës te “Petro Marko, shkrimtari i lirisë”, ruhet bashkëjetesa harmonike e shkrimtarit dhe studiuesit, për t’i ofruar lexuesit një studim të gjerë për një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letrave shqipe.

Top Channel